Vrasja e dy motrave Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi paraditen e 31 Dhjetorit 2020, tronditi kryeqytetin. Përparim Ademi, i cili kishte lidhje jashtëmartesore me Zhaneta Bardhin, i vrau dy motrat pasi dyshonte se ajo e tradhëtonte.
Djali i mitur i Zhaneta Metanit, A.Metani, ka dhënë deklarimet në polici pas ngjarjes së rëndë, ku është shprehur se nëna e tij i thoshte që baba ka Përparim Ademin, kur në realitet nuk është e vërtetë. Ai është shprehur se e kuptoi me kalimin e viteve faktin që Përparim Ademin nuk e kishte baba, edhe pse të atin biologjik nuk e ka njohur kurrë.
Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka publikuar të plotë dëshminë e të miturit A.Metani. Nëna e këtij të fundit, viktima Zhaneta Metani, ka qenë e martuar vite më parë me një person tjetër, me të cilin ka sjellë në jetë A.Metanin.
Deklarimi i të miturit A. Metani, djali i Zhanetës: “Familja ime, fisi, mami tezja e të tjerët kishin miqësi me Përparim Telën ndërsa mban mbiemrin e gruas Ademi. Këtë lloj lidhje nuk e kam kuptuar se ku konsiston. Fillimisht për këtë person mami më thoshte se ishte babi im, por me kalimin e kohëve kuptova që një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë për shumë arsye. Babain tim të vërtetë nuk e kam njohur kurrë. Në shtëpinë tonë vinte shpesh herë Përparim Ademi dhe shpesh herë debatonte me mamin për shkak të lidhjes që kishte mami me një person tjetër. Një javë para ngjarjes mami dhe tezja më thanë se në mënyrë kategorike nuk kisha më punë me Përparimin dhe se ai nuk kishte më punë me ta”.
Ditën e vrasjes, Përparim Ademi shkoi në banesën e motrave i shoqëruar nga nipi i tij, të cilin e përdori si karrem që Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi t’i hapnin derën. Kjo konfirmohet edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë që publikoi ekskluzivisht emisioni Uniko.
Dëshmia e nipit të Përparim Ademit: “Në mëngjesin e datës 31.12.2020 gjyshi im Përparim Ademi më mori dhe më tha hajde se do të shkojmë në një vend. Kemi shkuar bashkë me gjyshin në këmbë deri tek shtëpia e Zhanetës të cilën unë e njihja shumë mirë. Në momentin që shkuam tek dera e banesës, gjyshi nxorri nga çanta automatikun dhe ma vuri në gjoks dhe më tha bjeri derës dhe të thoja emrin tim. Në këto kushte i rashë derës dhe pasi më pyetën nga brenda se kush isha, i thashë emrin. Në momentin që gjyshi u fut brenda dëgjova të shtëna dhe ika me vrap në drejtim të shtëpisë tonë dhe takova gjyshen dhe i tregova se çfarë kishte ndodhur”. /tvklan.al