Hazbi Kasaj, kandidati për Bashkinë e Këlcyrës ka shpalosur në “Xing me Ermalin” në Tv Klan, disa nga pikat e platformës së tij. Ai ka premtuar punë për të gjithë nëse vjen në krye të bashkisë Këlcyrë dhe një nga punët që ofron është edhe ideja e shpërndarjes së qumështit me dron nëpër shtëpia.
Gjatë emisionit, ai tha se aplikimi i teknologjisë dhe shkencën lehtëson punën e krahut dhe kjo është një prej ideve të tij që do të vihet në zbatim nëse ai fiton. Hazbi Kasaj tha gjithashtu se në platformën e tij është edhe një pikë tjetër që ka të bëjë me ruajtjen e bagëtive pa çobanë.
“Për herë të parë në bashkinë e Këlcyrës do aplikohet shkenca që bagëtitë të ruhet blegtoria pa çoban. Ekspertët që do kem do llogarisin numrin e bagëtive që përmban një pjesë toke dhe pasi të thuret me grabion dhe çobanët do të kenë kushte moderne nga unë, dhoma ku do të lahen pas mjeljes së bagëtive dhe makinë nëse nuk do të ketë dronë”, shtoi kandidati për bashkinë Këlcyrë.
Ermal Mamaqi: Slogani yt i fundit është: “Puno pak ha shumë dhe bëj qejf”
Hazbi Kasaj: Po.
Ermal Mamaqi: Urime për gjetjen, por kush do paguaj që këto të bëjnë qejf?
Hazbi Kasaj: Ti ndoshta ke të drejtë që e bën këtë pyetje. Të punosh pak, të hash shumë dhe të bësh qejf do të thotë të marrësh punë, të fitosh shumë dhe të bësh qejf. Unë mendoj të fus në bashkinë e Këlcyrës shkencën, teknologjinë që lehtëson punën e krahut. Tani ka mjete që lehtësojnë fuqinë punëtore. Unë në profesion jam ekonomist dhe agronom. Kam mbaruar dy fakultete në kohën e Enver Hoxhës.
Ermal Mamaqi: Po ti punon shumë apo pak?
Hazbi Kasaj: Unë punoj shumë, ditë, natë.
Ermal Mamaqi: Ata që të votojnë ty, ti je i detyruar t’iu gjesh vende pune?
Hazbi Kasaj: Ka punë për të gjithë.
Ermal Mamaqi: Dhe një nga punët që Hasbiu na ofron është edhe ideja e shpërndarjes së qumështit me dron nëpër shtëpia.
Hazbi Kasaj: Po, është e vërtetë.
Ermal Mamaqi: Kur të erdhi kjo ideja çfarë lloj pije kishe konsumuar?
Hazbi Kasaj: Ermal, unë kam shumë ide në kokë, nuk është vetëm droni elektrik. Nëse tani qumështi transportohet me mushka nga Trebeshina në Këlcyrë, sot shkencëtarët kanë arritur ta marrin me dron elektrik, me pesha shumë të rënda dhe i çojnë në destinacion.
Ermal Mamaqi: Po, por ky dron bën 60 mijë euro.
Hazbi Kasaj: Le të bëjë sa të dojë.
Ermal Mamaqi: E ke bërë plan biznesi ti apo e ke kot?
Hazbi Kasaj: Është plan biznesi me kosto të ulët. Unë do fus teknologjinë dhe do ta çoj me dron në vendin ku dua unë.
Ermal Mamaqi: Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës, është ide origjinale e jotja.
Hazbi Kasaj: Po ka ndodhur. Unë kam edhe një pikë tjetër që bagëtitë do ruhen pa çoban. Për herë të parë në bashkinë e Këlcyrës do aplikohet shkenca që bagëtitë të ruhet blegtoria pa çoban. Ekspertët që do kem do llogarisin numrin e bagëtive që përmban një pjesë toke dhe pasi të thuret me grabion dhe çobanët do të kenë kushte moderne nga unë, dhoma ku do të lahen pas mjeljes së bagëtive dhe makinë nëse nuk do të ketë dronë. Bashkia Këlcyrë me kryetar bashkie Hasbi Kasajn në vitin e dytë mund të bëhet një nga bashkitë më të pasura, jo në Shqipëri po të krahasohet me bashkitë evropiane që kanë vite që i aplikojnë këto gjëra./tvklan.al