“Ndaloni dhunën!”, ishte kjo thirrja e Sekretarit të Përgjithshëm të PD Flamur Noka ndaj efektivëve të Policisë. Nga Rruga e Elbasanit ai deklaroi se akti ndaj nënkryetarit demokrat Agron Gjekmarkaj është banditesk dhe me urdhër politik.

“Jini të qetë se i shqetësuar është narko-shteti me narko-policinë! Jam këtu para jush për të dënuar aktin kriminal, banditesk të narko-policisë të urdhëruar direkt nga narko-kryeministri dhe narko-ministri dhe të zbatuar nga Proda dhe vasalët e tij, kundër nënkryetarit të PD zotit Gjekmarkaj. Të dëshpëruar nga efektet dhe jehona e mosbindjes civile, si rruga e vetme për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira. Të tmerruar nga jehona ndërkombëtare e hapave të opozitës, ata urdhërojnë ta shtypin revoltën me dhunë. Ata nuk llogarisin përballë kujt janë dhe a po kapërcehet kufiri ligjor. Tërbimi vjen pasi po vjen ngordhja! Ndaj po dhunojnë! U bëj thirrje policiëve mos bini pre e urdhrave anti ligjore, nuk jeni këtu për të dhunuar opozitën”, tha Noka.


Ai bëri me dije se Gjekmarkaj ka humbur ndjenjat dhe është në spital ku po merr ndihmën mjekësore. Sipas Nokës, ai është goditur nga Policia dhe ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Kjo është fytyra e shtetit! Do ta paguajnë, është radha jonë. Po vjen koha jonë. Do e paguajnë një për një, nga i pari tek i fundit. Ne po regjistrojmë çdo incident”, përfundoi ai.

Eksponentët e opozitës pretendojnë se Gjekmarkaj është dhunuar nga Policia. Këtë incident e dënoi edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i cili tha se “përgjegjësi personale do mbajnë kryeministri Edi Rama dhe ministri Ervin Hoxha”.

/tvklan.al