Hedhja e lëndëve piroteknike nga mbështetës të opozitës gjatë protestës së të shtunës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka çuar në prangosjen e disa qytetarëve.

Një 19-vjeçar u arrestua nga blutë e Tiranës, pasi dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, si pasojë e lëndëve plasëse artizanale dhe atyre piroteknike që hodhi në drejtim të punonjësve të policisë, shkaktoi plagosjen e tre prej efektivëve.

Ndërkohë, tre qytetarë nga Korça dhe një tjetër nga Tirana u referuan në Prokurori në gjendje të lirë nga policia.

Partia Demokratike thotë se në shkelje të ligjit janë ndaluar jo vetëm aktivistë, por edhe të mitur.

“Komisariatet e Tiranës janë mbushur me të rinj dhe adoleshentë. Engjëll Tafasi, i riu i arrestuar mbrëmë dhe te tjerë të ndaluar sot përfshirë edhe të miturin Amarildo Tuga janë prova se Hoxha i diktaturës së re e kupton rendin dhe sigurinë si përballje dhe eliminim të opozitës dhe të drejtës për tubim”.

Demokratët paralajmërojnë ministrin e Brendshëm se do të japë llogari pas 11 Majit për arrestimet e qytetarëve gjatë protestave të opozitës.

Tv Klan