Parregullsitë e shënuara në kutitë e votimit të Paskuqanit, Vorës e Konispolit për kreun e demokratëve nuk cënuan aspak procesin e primareve të së shtunës.
Me një ndjesë drejtuar atyre që nuk arritën të votojnë, Berisha foli për një proces transparent duke ironizuar kundërshtarët në kampin rozë.
“Ishin procesi më demokratik që Shqipëria ka njohur ndonjëherë. Imagjinoni ju se çfarë ndodh në krahun tjetër, që kandidaturat përcaktohen nga Bajrët, Troplini, Poja, Çela, Ndoka dhe eksponentë të tjerë të krimit.Përcaktohen nga valixhet me para.Përcaktohen jashtë të gjitha kritereve”.
Edhe pse fjalën e fundit për ekipin me të cilin do të kërkojë votën e shqiptarëve në 11 Maj do e thotë Kryesia, Berisha shprehet se primaret shërbyen si një kriter për përpilimin e listave të kandidatëve për deputetë.
“Kjo garë nuk është bërë për të qenë në lista të sigurta. I sigurtë të jetë, që ai që merr më shumë vota do të jetë deputet në Kuvendin e Shqipërisë., kriter per perplikimin e listave”.
Mes listës së bërë nga vetë ai dhe asaj të dalë nga gara e brendshme e partisë, Berisha zgjedh të dytën.
“U garantoj se është 100 herë më e mirë se lista që mund të formuloja unë me bashkëpunëtorët e mi”.
E nëse Kryesia do përcaktojë fatin e atyre që nuk kaluan dot pragun për të qënë në listë të mbyllur, e kundërta ndodh me ata që nuk kaluan aspak nga procesi i primareve.
“Jashtë kësaj praktike, njerëz që nuk janë futur në primare, shumë e vështirë, por kurrë mos thuaj kurrë”.
Në këto zgjedhje demokratët u futën pa një numër të saktë të anëtarësisë, problem që e njohu edhe Sali Berisha i cili propozoi që sikundër në primaret për krerët e bashkive të ligjërohet me statut edhe e drejta e votës për mbështetësit e Partisë Demokratike.
Në marrëveshjen me aleatët që pritet të dorëzohet në mesnatë, Berisha pranon se është dakordësuar që krahas vendeve të sigurta, të kenë kandidatë edhe në listat e hapura.
“Jemi të detyruar t’u lëmë në listën e hapur vende edhe partive aleate”.
Edhe në këtë dalje, një thirrje adresoi ndaj diasporës duke e cilësuar 2025 si viti i mrekullisë.
“Siç ishte viti 1992, mrekulli në të cilën shqiptarët përmbysin diktaturën, por këtë herë mrekullia vjen nga diaspora”.
Nga primaret e demokratëve vetëm 108 kandidatë arritën të kalojnë pragun në fazën e parë të përzgjedhjes nga anëtarësia, ndërkohë 72 emrat e tjerë, bazuar në kriteret e përcaktuara më herët si puna e secilit kandidat me diasporën dhe kontributi në betejën kundër qeverisë pritet të vendosen nga kryesia në mbledhjen e 12 Marsit.
Tv Klan