Për afro 1 orë e 30 minuta opozita protestoi paqësisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Thirrjen e tij kreu i opozitës e adresoi ndaj shqiptarëve, pavarësisht bindjeve partiake, brenda e jashtë vendit për të larguar të keqen sipas tij në krye të “narkoshtetit”.
“Të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare.”
Foli për krijimin e një fronti sa më të gjerë opozitar, i bindur se 11 Maji do jetë dita e triumfit dhe rikthimit të demokracisë në vend.
“Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës.”
E në këtë mision tha se historia është në anën e duhur.
“Historia e deshi që ne të jemi e vetmja forcë politike që përmbys dy diktatura njëra pas tjetrës, diktaturën staliniste të Enver Hoxhës dhe narkodiktaturën e bastardit të bllokut komunist, Edi Ramës.”
Edi Rama, ministra të qeverisë, si dhe Kryebashkiaku i Tiranës ishin “shënjestra” e akuzave të tij, teksa risolli në vëmendje deklaratat e bëra pak javë më parë nga ish zv-kryeministri në arrati Arben Ahmetaj.
“Me dokumenta, si dëshmitar fizik, okular, u tha shqiptarëve se Edi Rama dhe qeveria e tij funksionojnë si organizatë kriminale. Dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës. Lubi Balluku, Lubi Loti, administron për llogari të Edi Ramës 12 miliardë euro dhe dëmet e saj shkojnë më shumë se dëmet e tërmetit.”
Akuzat për mazhorancën u pasuan nga premtimet elektorale, që nisin me rritjen e pagave dhe vendosjen e pensionit minimal.
“Asnjë prej jush nuk do ketë më pak se 200 euro në muaj, çdo njeri prej jush do ketë kartën e konsumatorit për t’u kthyer TVSH-në, e cila është e barabartë me tre pensione. brenda 3 muajsh, nuk do ketë rrogë nën 500 euro. Brenda vitit, rroga mesatare do jetë 1200 euro. Energjia do jetë 3.2 herë më e ulët. Do jetë 7 lekë. Tarifat e sipërfaqeve të sipërmarrjeve do ulen tre herë. Taksa e sheshtë 10% për bizneset e tjera është zotimi ynë. Biznesi i vogël do paguajë gjysmën e asaj që paguan sot për sigurimet shoqërore.”
Në këtë protestë, krahas krerëve të disa prej partive opozitare nuk mungoi as audiomesazhi që Ilir Meta dha nga qelia e burgut 313 për shqiptarët e diasporës.
“Ftoj të gjithë vëllezërit tanë emigrantë kudo ndodhen, që të nxitojnë që të regjistrohen, që të mos humbasin këtë mundësi historike për të kontribuar për rivendosjen e vendit të tyre në shinat e Kushtetutës, për rikthimin e lirisë, të demokracisë dhe të llogaridhënies dhe në këtë menyrë i hapet rruga dhe riintegrimit të tyre në atdheun e tyre.”
Edhe pse kjo protestë ishte e qetë, të vetmet incidente u shënuan gjatë fjalës së kreut të opozitës Sali Berisha, ku si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike u lënduan 3 punonjës policie.
Pas protestës Sali Berisha u nis drejt Italisë, ku mesditën e së dielës pritet të zhvillojë një takim me emigrantët e Romës.
Tv Klan