Kryeministri Edi Rama e konsideron pjesëmarrjen e Shqipërisë në ITB Berlin, ku këtë vit mban edhe “vendin e nderit”, diçka të paimagjinueshme deri pak kohë më parë.
Për këtë arsye nga Gjermania falenderoi organizuesit e Panairit të Turizmit, që sipas kreut të qeverisë, u ka dhënë shqiptarëve mundësinë që t’i tregojnë botës se janë ndryshe nga stigma që u është vënë në vende të ndryshme të botës.
Rama theksoi se shqiptarët nuk kërkojnë ndere, por vetëm lojë të ndershme.
“Dua të falenderoj pikë së pari ITB që ka treguar kaq shumë hijeshi që na ka lejuar të shijojmë këtë shpërblim dhe na ka dhënë diçka për të cilën ne shqiptarët kemi luftuar për kaq shumë kohë, mundësinë për t’i treguar botës se jemi krejt ndryshe nga stigma e kaq shumë viteve në Gjermani e vende të tjera të botës për ne. Dhe për ta përmbyllur më lini të them se për gjysmë shekulli nuk patëm mundësi të luanim në Perëndim, por tashmë për çudinë e të gjithëve, Union po luan më mirë se Herta mesa kuptoj. Kështu që kjo është ajo çfarë kërkojmë. Nuk kërkojmë ndere, kërkojmë vetëm lojë të ndershme”, tha Rama.
Ai e vijoi fjalën e tij, duke i falenderuar të pranishmit në gjuhën shqipe, për të treguar se edhe në këtë aspekt ka një trashëgimi të jashtëzakonshme.
Por mbi të gjitha përmbylli Rama, “Shqipëria nuk është kurrë e mërzitshme”./tvklan.al