Ekran apo radio, transmetime të vështira apo argëtuese, Enkel Demi ka provuar se s’ka diçka që s’e realizon më së miri në karrierën e tij. Prej 8 vitesh, edhe autor librash nën pseudonimin e Tom Kukës duke ia dalë të mbërthejë zemrat e lexuesve, Ndërsa reflekton mbi eksperiencën e gjatë në intervistën ndryshe për “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Demi klasifikon përvojat e tij televizive.
Aktualisht, emisionin e mëngjesit e konsideron habitat ndërsa transmetimet maratonë të dikurshme kanë qenë të lodhshme. Është argëtuar në spektakle, por të preferuarat mbeten kuicet. Madje një nga më të preferuarit e tij është pikërisht rubrika “Të Panjohurit”.
Ardit Gjebrea: Sa i përket eksperiencës televizive, ku argëtohesh më shumë, ku ndihesh më i fortë dhe cili është vendi ku nuk do të doje të shkoje, por për hir të ofertës, nuk do ta refuzoje?
Enkel Demi: Argëtohem në emisionet që bëj vetë, këtë që bëj në mëngjes për shembull, sidomos tani që punoj me Edin ka gjetur tenxherja kapakun. Kur kam bërë kuicet, jam argëtuar shumë. Kur bëja “Kombinat Shoë”, argëtohesha jashtëzakonisht shumë.
Ardit Gjebrea: Jemi argëtuar edhe ne me këto, meqë ra fjala, por ku ndihesh më i fortë?
Enkel Demi: Ndihem më i fortë në studion e mëngjesit, ajo mendoj që është habitati im sepse është diçka mes njeriut të televizionit dhe gazetarit që janë të dyja. Dikur thoshin që unë isha më i fortë kur unë bëja transmetimet e drejtpërdrejta, maratonë por ato unë s’i kam dashur asnjëherë, më lodhnin, nuk është se ndieja ndonjë kënaqësi dhe jam i parimit që në televizion po nuk ndieve kënaqësi, s’duhet ta bësh ose do ta bësh për të marrë rrogën.
Ardit Gjebrea: Që kanë mbetur… lufta e Kosovës identifikohet me ty në ekranin televiziv.
Enkel Demi: Në luftën e Kosovës unë kam qenë shumë i ri, nuk e kam kuptuar se çfarë kam bërë. Unë u bëra i famshëm brenda pak ditësh dhe më dukej sikur s’prekja në tokë, sikur ecja kështu në ajër. Në luftën e Kosovës unë kam pësuar atë metamorfozën e mendjemadhësisë që pësojnë rishtarët në televizion. Më është dashur pastaj të bëj lëvizje edhe shumë shpesh të gabuara për t’u kthyer me këmbë në tokë. Ka qenë padyshim programi im identifikues dhe i rritjes sime personale, por edhe programi kur unë kam gabuar shumë në jetë, në jetën private flas, jo në jetën televizive.
Ardit Gjebrea: Dhe programi të cilin nuk do të doje ta bëje, por nuk e refuzon? Çfarë natyre programi televiziv që “jo, këtë nuk dua, por për hir të një oferte, po e bëj?”
Enkel Demi: Nuk kam programe të cilat i refuzoj sepse më vjen një ofertë e lartë e kështu me radhë. Unë shkoj në përgjithësi në vende që kam qejf të shkoj, të paktën pas kaq e kaq vjetësh e kam këtë të drejtë. Kam disa programe në të cilat unë do të doja të merrja pjesë.
Ardit Gjebrea: Për shembull?
Enkel Demi: Jo, po e thashë unë pastaj ti të merr në punë. Unë do të doja për shembull të bëja ndonjë kuic. Kam bërë dy herë se ti u sëmure…
Ardit Gjebrea: “Të Panjohurit”!
Enkel Demi: Po pra, atë do të më pëlqente ta bëja.
Ardit Gjebrea: Vërtet?
Enkel Demi: Po, shumë.
Ardit Gjebrea: Nuk ta lë!
Enkel Demi: Ato dy emisione më kanë pëlqyer shumë. E di që s’e lë.
Ardit Gjebrea: Festivalin po, me shumë qejf, sa herë që më kanë pyetur nëse nuk do ta prezantoje ti “Këngën Magjike”, kush do të ishte dhe unë gjithmonë kam thënë Enkel Demi.
Enkel Demi: Jo, unë nuk e bëj këtë gjë.
Ardit Gjebrea: Vërtet? Jo, unë e kam thënë dhe jam shumë i lumtur.
Enkel Demi: Unë s’jam i marrë të shkoj aty ku ke vënë ti vulën./tvklan.al