Kryebashkiaku Veliaj inspekton punimet
Së shpejti në zonën e “Don Boskos” do të hapin dyert dy shkolla të reja. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet në shkollën 9-vjeçare “Vaçe Zela”, në të cilën është integruar një kopësht, dhe të shkollës së mesme “Kristo Frashëri.”
“Sot themi se kjo zonë kufitare mes njësisë 9 dhe njësisë 11, është integruar në Tiranë me dy nga shkollat më të bukura, shkollën “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”, të cilat kombinuar si dy “L”, për të krijuar një oborr të brendshëm dhe për të dhënë një sens qetësie dhe sigurie”, tha Veliaj.
Shumë shpejt do të nisë edhe rehabilitimi i dy shkollave të tjera, “Qazim Turdiu” dhe “Hasan Vogli”.
“Po sigurohemi që klasat të kenë më pak nxënës. Është super lajm që, semestrin tjetër, do të kemi një shkollë e cila ka 60 klasa, rreth 2000 nxënës, përfshirë këtu edhe parashkollorin. Të heqësh 2000 nxënës nga mbingarkesa e shkollave të tjera, është diçka fantastike sepse krijon kushte shumë më të mira për ta”.
Sipas Veliajt, ndërtimi i dy shkollave të reja në “Don Bosko” ka sjellë rritje të vlerës së pronës dhe më shumë interes për banorët, për të investuar në këtë zonë. Dy shkollat e reja do të kenë edhe klasa me specifika të ndryshme në fushën e artit dhe sportit.
Tv Klan