Alec Baldwin konsideroi vetëvrasjen pas incidentit tragjik që i mori jetën Halyna Hatchins, thotë gruaja e tij Hilaria.

Në episodin e dytë të reality show-t “The Baldwins”, ajo rrëfen sesi aktori donte të vriste veten pasi qëlloi aksidentalisht kolegen e tij në vitin 2021, raporton TMZ.

Alec shkrepi armën me të cilën u vra Halyna dhe sipas Hilaria, bashkëshorti i saj vuan ende nga faji i të mbijetuarit. Ajo shprehet se aktori uron që të ishte ai që vdiq atë ditë dhe jo Halyna. Sipas gruas së tij, incidenti ka bërë që shëndeti i tij mendor dhe fizik të marrin të tatëpjetën.

Hilaria deklaron se ai është shtruar shumë herë në spital, ka probleme me zemrën dhe i ka rënë të fikët për shkak të ndjenjës së fajësisë.

Gjithashtu ka pasur çështje ligjore e padi dhe të gjithë që kanë qenë të përfshirë kanë kaluar në sitë.

Hilaria thotë se gjërat kanë qenë shumë të vështira për bashkëshortin e saj, por shpreson se po i afrohen dritës në fund të tunelit.

Por ka edhe një anë tjetër të historisë. Avokatja që përfaqëson familjen e Hutchins thotë se familja Baldwin po përfiton nga dhimbja e humbjes tragjike.

Gloria Allred thotë se ky spektakël “feston gëzimin e Baldwin që të gjendet me fëmijët e  tij duke injoruar faktin që Alec Baldwin mori një fëmijë nga prindërit e vet. Ky është realiteti i dhimbshëm dhe aktual që prindërit  dhe motra e Halyna përballen çdo ditë”.

Avokatja shprehet se aktori s’i ka kërkuar kurrë falje familjes për përfshirjen e tij në vdekjen e saj dhe s’ka marrë asnjë përgjegjësi.

Ajo veçon një fragment nga episodi  i parë ku Hilaria thotë: “Halyna humbi jetën në tragjedinë më të papritur, një djalë humbi nënën. Ne do ta ndiejmë dhe mbajmë këtë barrë përgjithmonë. Kjo do të jetë pjesë e historisë së familjes sonë”.

Por sipas avokates, “historia e familjes” nuk përmendet kundrejt prindërve dhe motrës së Hutchins të cilët në të vërtetë do ta ndiejnë dhe mbajnë përgjithnjë këtë dhimbje, në një formë që Baldwin duket se as e ka ndier e as kuptuar.

Në këndvështrimin e avokates, ai luan viktimën duke folur për ndjesitë e tij mbi gjyqin, Hilaria deklaron se ai vuan nga stresi post-traumatik dhe marrin kamerat në seancat e terapisë./tvklan.al