Shkak, përjashtimi i padrejtë i 10 mijë familjeve nga ndihma për fëmijët
Një skandal me ndihmat financiare për përkujdesjen ndaj fëmijëve të familjeve në nevojë detyroi qeverinë holandeze të japë dorëheqjen këtë të premte, vetëm pak javë para zgjedhjeve parlamentare të Marsit.
Vendimi për dorëheqjen e gjithë qeverisë erdhi pasi një komision i posaçëm hetimor parlamentar arriti në përfundimin në muajin Dhjetor se qeveria u kishte hequr me pa të drejtë ndihmën financiare për fëmijët dhe i kishte detyruar ato t’i rikthenin shtetit dhjetëra mijëra Euro, duke i akuzuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.
Skandali shtrihet përgjatë periudhës mes viteve 2013 – 2019, kur punonjës të zyrave të taksave, avokatë dhe përmbarues kishin kryer konstatime dhe procedura të jashtëligjshme ndaj këtyre familjeve, siç thuhet në konkluzionin e komisionit hetimor parlamentar.
Të dëmtuarit janë kryesisht familje emigrantësh, të cilëve këto procedura u kanë shkaktuar një dëm që arrin deri në 30 mijë Euro për familje, duke u shkaktuar atyre vështirësi të rënda financiare. Nga shuma që iu desh t’i rikthenin shtetit shumë familje kanë mbetur edhe pa strehë gjatë këtyre viteve. Pritet që së shpejti të nisë kompensimi i tyre.
Tv Klan