Nuk është sekret që prej vitesh, City Taxi është një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Flotën e tyre e kemi parë shpesh të shoqërojë mesazherët e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” që të dorëzojnë mesazhet apo edhe për të sjellë të ftuarit në shtëpinë e programit.

Rrugëtimi i fundit për të dorëzuar mesazhin për Romanën në Bilisht, ka qenë i tillë për një prej taksistëve të kompanisë, Fatmirin. Pas insertit, Ardit Gjebrea ndau lajmin e trishtë se 53-vjeçari është ndarë nga jeta papritur, vetëm pak ditë pas dorëzimit të mesazhit të fundit. Moderatori shprehu ngushëllime të sinqerta dhe përkujtoi Fatmirin e ndjerë.

Ardit Gjebrea: Në një nga momentet e  fundit, teksa taksia u ndal pashë Fatmirin, shoferin i cili sot në mëngjes u nda nga jeta dhe ne kemi çuar mesazhin parmbrëmë në Bilisht dhe sot në mëngjes na thanë, 53 vjeç, Fatmir Kovaçi është ndarë nga jeta dhe ka qenë një dhimbje shumë e madhe sepse prej 10 vitesh ai dhe një kolegu i tij, kanë qenë ndër të parët dhe të vetmit që kanë rrugëtuar për 10 vite me këtë kompani që në krijimin e saj. Unë do të doja që t’i shprehja ngushëllimet familjes së Fatmirit dhe qoftë i parajsës. Ata bëhen pjesëtarë të familjes sonë, të gjithë bashkëpunëtorët tanë, ne punojmë me ta, gëzojmë me ta dhe Fatmiri ishte një zotëri i vërtetë, i qeshur. Unë shpesh kam udhëtuar me të, vetëm fjalën e mirë dhe ta bënte udhëtimin edhe më të këndshëm që ti shkoje me qejf në çdo destinacion aty ku do të mbërrije. Edhe ky program lë kujtime dhe unë jam shumë i lumtur për këtë dhe gjithmonë them, le t’i lëmë kujtimet së bashku sepse nuk dimë sahatin e Zotit, momentin kur ai ka vendosur të na marrë pranë vetes kështu që çdo moment ta jetojmë sikur të ishte i fundit, ta gëzojmë dhe të lëmë mënjanë të gjitha trishtimet, të gjitha ato momentet kur ne i japim trishtim apo gëzim dikujt  tjetër sepse asnjëherë nuk dimë sesa jemi dhe deri kur do të jemi./tvklan.al