Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të marrë në pyetje 53 persona në çështjen ku Tom Doshi pretendon se do të eliminohej me urdhër të Ilir Metës.
Ndër ata që do të japin sqarime para togave të zeza janë kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Kuvendit Ilir Meta.
Gjithashtu do të thirren deputët Spartak Braho, Monika Kryemadhi, Mhill Fufi si dhe dhjetëra persona të tjerë të cilët janë pyetur gjatë hetimit. Versioni i Tom Doshit nuk u provua asnjëherë dhe Prokuroria i akuzon të tre për kallëzim të rremë. Në seancën e kësaj të mërkurë u rrëzua kërkesa e mbrojtësve për të thirrur si dëshmitar kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Sipas Kolegjit Penal, Llalla është prokurori që ka firmosur arrestimin e të pandehurve. Në seancë pati dhe një debat mes palëve, pasi Prokuroria kërkoi që në fillim të merren provat shkresore për shkak të angazhimit në fushatë të dëshmitarëve.
Por kjo gjë u kundërshtua nga avokatët duke sqaruar se nuk është kjo procedura që ndiqet. Por për ekonomi gjyqësore gjykata vendosi t’i japë të drejtë Prokurorisë dhe të shtyjë seancën për në datën 21 qershor dhe të nisë me provat shkresore.
Tv Klan