Gjykata e Posaçme shpalli fajtor dhe dënoi me 35 vite Jemin Sherën, i cili akuzohet nga SPAK për organizimin e vrasjes së Behar Sofisë, në 25 Shkurt të 2021. Dënimi ndaj tij është dhënë në mungesë pasi ndodhet në arrati.
Sipas vendimit të gjykatës, Shera shpallet fajtor për vrasje me paramendim e kryer për interes të personave të tjerë, në bashkëpunim në kuadër të grupit kriminal. Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme ka rezultuar se Shera e ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe për ta realizuar vrasjen, ka krijuar grupin kriminal.
Pjesëtarët e grupit e kanë vëzhguar shënjestrën e tyre për 6 muaj më radhë deri në momentin kur e ekzekutuan mëngjesin e 25 Shkurtit, në afërsi të Piramidës në Tiranë.
127 vite burg ka dhënë Gjykata e Posaçme për 5 të dyshuarit për organizimin dhe vrasjen e Behar Sofisë. Xhuliano Visha, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leza janë dënuar me nga 30 vite burg për ngjarjen, ndërsa bashkëpunëtori i drejtësisë që është edhe ekzekutori i Sofisë, Ernejt Shyti është dënuar me 7 vite heqje lirie.
Ai u arrestua në Malin e Zi teksa ishte duke punuar. Policia dyshon se shkak i kësaj vrasje janë bërë prishjet e pazareve të drogës.
Klan News