Ish-deputeti i PS Alqi Bllako është dënuar nga Gjykata e Posaçme. Sipas vendimit të togave të zeza, Bllako dënohet me 4 vite heqje lirie, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfundimisht duhet të vuajë 2 vite e 8 muaj.

Bllako u gjet fajtor për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë, lidhur me inceneratorin e Tiranës. Këto akuza pak ditë më parë u kundërshtuan nga vetë Bllako, i cili para gjykatës deklaroi se nuk ka marrë asnjë vendim apo të ketë firmosur ndonjë dokument për inceneratorin e Tiranës.

Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar 119 mijë Euro në mënyrë të parregullt. Sipas SPAK këto para i ka përfituar në dy raste pagesash. Rasti i parë ka të bëjë me blerjen e një pajisjeje për biznesin e babait të tij, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me një pagesë që ka kërkuar për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që të vijonte punën dhe të ndihmonte në procedurat koncesionare.

Për inceneratorin e Tiranës, SPAK ka kërkuar dënimin edhe për 11 zyrtarë të tjerë, mes tyre dhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka. Ata po gjykohen në një tjetër çështje, ndërsa në kërkim janë dhe 8 persona të tjerë.

Zyrtarët që akuzohen për shpërdorim detyre dhe të shpallurit në kërkim sipas SPAK kanë vepruar si grup kriminal në krye të të cilit qëndronte Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Klan News