Është verifikuar masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit. Prokuroria e Posaçme i akuzon për organizimin dhe vrasjen e Fatbardh Licit në Gusht 2018. Para SPAK, ka folur për mediat avokati mbrojtës i Safet Bajrit, i cili citoi reagimin e klientit të tij në sallën e gjyqit. Sipas avokatit, Safeti është plotësisht i hapur ndaj hetimeve.


“Safeti e bëri të qartë se është paraqitur vetë, janë të hapur me hetimin. Nuk ka pasur mundësi të ikja, se s’më kishit kapur kurrë. Jo siç e kanë trajtuar mediat, që e arrestuan, e shtrinë përtokë”, deklaroi avokati.

I pyetur se a i kanë marrë analizën e ADN-së, u përgjigj kështu: “Kjo është pjesë e hetimit, ai i ka dhënë analizat e ADN-së sa herë është proceduar. Ajo analizë nuk ndryshon!”

Kujtojmë se seanca e sotme gjyqësore ishte planifikuar të niste që në orën 08:30, por u ndërpre pak orë për shkak të mungesës së gjyqtares Eva Dedaj.

Safet Bajri u arrestua të Premten (21 Shkurt), ndërsa dy të tjerët aktualisht ndodhen në qeli për dosjen “Metamorfoza”.

Prokuroria e Posaçme i akuzon për “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Lici, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

/tvklan.al