Presidenti i FSHF Armand Duka e pranon se kombëtarja kuqezi nuk shkëlqeu në pjesën më të madhe të ndeshjeve të Ligës së Kombeve.
Në një reagim në profilin e tij në Facebook, ai shkroi se kombëtarja e nisi mirë, por e mbylli keq kompeticionin.
“Sërish vumë re që ekipi pësoi ulje-ngritje, që natyrisht na vunë në pozita në klasifikim. Ishim të vetëdijshëm dhe u pa qartë që nuk kishim kundërshtarë aspak të thjeshtë. Po aq sa jemi përsëri të bindur që kemi një skuadër shumë të fortë e që mund të na dhurojë përsëri emocione të forta.”
Duka mendon se për kombëtaren është koha për pak qetësi, pasi gjithkush e ndjen peshën e përgjegjësisë për atë që nuk bëmë mirë.
“Ndeshjet që mbyllëm janë objekt reflektimi e analize dhe le të shërbejnë për të gjithë si një pikë emergjente kthese, duke i parë gjërat me qetësi dhe aspak me emotivitet për të gjetur fajtorë e të pafajshëm!”
Por tani vëmendja është te kompeticioni i radhës, kualifikueset për Kupën e Botës.
“Shpejt do të mësojmë kundërshtarët e eliminatoreve të Botërorit. Kemi shkuar me meritë e djersë dy herë në Europian. Me besim e shumë forcë korrigjuese në vetvete do të tentojmë një mundësi për të arritur një tjetër objektiv historik! Është detyrim për të kthyer faqe e për të bërë shumë më mirë, sepse sfida shumë më të vështira na presin!”
Në fund presidenti i FSHF falenderoi tifozët e mrekullueshëm, që në asnjë moment nuk e lanë skuadrën vetëm, por e mbështetën dhe ishin afër saj si kurrë më parë e sipas tij, për tifozët, pika e kthesës së Kombëtares duhet të jetë shumë e fortë!
Klan News