Fituesi i ‘Topit të Artë’ tashmë, president i Federatës Ukrainase të Futbollit, Andriy Shevchenko ka vlerësuar rritjen e futbollit shqiptar në vitet e fundit.

Teksa vizitoi ambientet e kompleksit “Shtëpia e Futbollit” legjenda e futbollit botëror u shpreh tepër i impresionuar nga puna e bërë, ndërsa shtoi se dëshiron t’i shikojë të kualifikuar në një kompeticion madhor.

“Jam shumë i kënaqur që jam këtu, dua të falënderoj Presidentin Armand Duka, një mik, për këtë mundësi të bukur dhe për mikpritjen. Jam shumë i impresionuar nga puna që është bërë. Vij në Shqipëri prej shumë kohësh dhe shoh vendin që po rritet shumë. I gjithë vendi po rritet, por besoj se zhvillimi më i madh vjen edhe nga futbolli, Shoh struktura të përshtatshme për evente futbollistike, për fëmijë, për të rritur, e mbi të gjitha për skuadrat kombëtare. Qendra ka gjithashtu një muze shumë të bukur, ishte shumë interesante, mësova sot shumë gjëra që nuk i dija. I uroj futbollit tuaj, të gjithëve ju, të vazhdoni këtë rrugë në ngjitje, të kualifikoheni për diçka të rëndësishme. E di që keni një grup të vështirë, por futbolli luhet i barabartë kur nis ndeshja, ndaj është e rëndësishme të keni besim”, tha Shevchenko.

Shevchenko dhe Presidenti Armand Duka ndoqën nga afër sfidën mes Shqipërisë dhe Ukrainës për llogari të Ligës së Kombeve për femra.

Klan News