Arritjet e futbollit shqiptar në vitet e fundit kanë impresionuar presidentin e Federatës holandeze të futbollit, Frank Paauw. Në një vizitë zyrtare në Tiranë, numri 1 i futbollit tulipan vlerësoi punën e kryer nga FSHF dhe presidenti Armand Duka.
Ai shtoi se marrëdhënia mes dy institucioneve të futbollit është mjaft e mirë, teksa në të ardhmen pritet bashkëpunim mes palëve.
“Më duhet të them se jam shumë i impresionuar për arritjet e Federatës Shqiptare të Futbollit përgjatë këtyre viteve të fundit. Si nga përgjegjësia që Federata ndjen ndaj shoqërisë shqiptare dhe punët e mira që kanë bërë, por edhe për rritjen në një nivel më të lartë të futbollit profesionist si edhe futbollit amator. Është vërtetë e jashtëzakonshme dhe mbresëlënëse. Stadiumet janë në nivele të larta dhe më duhet të them se për një vend relativisht të vogël, kjo është një arritje e madhe. Kjo vizitë është gjithashtu një shtysë edhe më e madhe për marrëdhëniet tona”, tha Frank Paauw.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.





Klan News