Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy motrat Mariela dhe Antonela Berisha. Ato akuzohen se janë autore të dhunës fizike të 24-vjeçares Klea Prenga, një blogure e njohur në rrjete sociale.
Kjo e fundit denoncoi pranë komisariatit nr.1 se është dhunuar teksa po darkonte në një lokal në Tiranë mbrëmjen e 6 gushtit. Në kallëzimin e bërë në polici, e reja tha se është goditur me shishe qelqi në fytyrë. 24-vjeçarja ka publikuar në rrjetet sociale fotot u duket e gjakosur.
Para hetuesve ajo tha se ishte duke darkuar në një restorant në zonën e Kodrës së Diellit kur dy motrat Berisha janë afruar dhe kanë nisur ta godasin me sende të forta në fytyrë, duke i shkaktuar dëmtime të shumta. Në denoncimin e saj, Klea Prenga nuk ka treguar asgjë mbi arsyet e dhunë. Sipas saj, dy motrat donin t’i shkatërronin fytyrën dhe imazhin e saj, dhe njëra prej tyre i ka dërguar edhe mesazh kërcënues pasi e kanë sulmuar.
Megjithatë sipas burimeve të policisë, shkak i dhunës që motrat Antonela dhe Mariela Berisha ushtruan mbi blogeren Klea Prenga është bërë dyshimi i Marielës se Klea kishte lidhje paralele me bashkëshortin e saj prej të paktën një viti.
Agjentët e komisariatit nr. 1 kanë kryer disa kontrolle në kërkim të të dyjave, por deri tani nuk janë gjetur. Ato akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim dhe rrezikojnë burg deri në 10 vjet.
Klan News