Dy motra janë paraqitur në orët e para të mëngjesit të sotëm në komisariat për të bërë një kallëzim. Siç njofton Policia e Tiranës, ato pretendonin se kishin pasur një konflikt me disa shtetase të tjera në autostradën Tiranë-Durrës. Megjithatë, teksa u është kërkuar të presin për marrjen e kallëzimit nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, të rejat janë larguar. Bazuar në reagimin e bluve, ato kanë qëndruar fiks 4 minuta në komisariat.

E çuditshmja ndodh më pas! Mësohet se dy motrat Xhemile (22 vjeç) dhe Esma V. 24 vjeç) kanë shkuar në banesën e shtetases Kasandra C. (26 vjeç) dhe janë konfliktuar fizikisht. Kjo e fundit ka plagosur me thikë njërën nga motrat.

“Shtetasja E.V., aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thotë Policia e Tiranës.

Siç raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, sherri mes vajzave ka nisur në rrjetin social TikTok, ndërsa autorja e plagosjes ka përfunduar në pranga.

/tvklan.al