Superlativa në fushatë, sulme pasi u shkarkua nga drejtimi politik i qarkut
Ditmir Bushati shkaktoi debate me qëndrimin e tij në kryesinë e Partisë Socialiste, kur kërkoi që përgjegjësinë për faktin që Valdrin Pjetri kishte fshehur një dënim në Itali dhe kishte gënjyer forcën politike që po e kandidonte, të mos e mbante vetëm ai, por edhe vetë partia.
Socialistët e kanë sqaruar rastin e Valdrin Pjetrit, duke theksuar disa herë se nuk kanë qenë në dijeni për të shkuarën e tij, ndaj e kandiduan dhe e mbështetën për kryetar të Bashkisë së Shkodrës. Të njëjtën mbështetje Valdrin Pjetri e pati publikisht gjatë fushatës elektorale të Qeshorit edhe nga Ditmir Bushati, i cili para qytetarëve shkodranë fliste me superlativa për të.
Ditmir Bushati-Shkodër, 20 Qershor 2019: “Është kjo arsyeja përse ne prezantojmë një djalë të Shkodrës, një djalë të shkolluar të Shkodrës, një djalë i cili edhe kur ka qenë me studime në Itali, edhe kur ka ushtruar detyra të rëndësishme në administrimin publik nuk e ka humbur asnjëherë lidhjen me Shkodrën. Ai është Valdrin Pjetri. Ne jemi të bindur që me Valdrin Pjetrin, shërbëtorin numër 1 të këtij qyteti, ne do të kemi mundësinë të hapim një kapitull të ri për Shkodrën që duam, për Shkodrën e Shekullit 21… Ndaj sot dua t’u kërkoj që me brohoritje të mbështesim Valdrinin”.
Me zbulimin e mashtrimit të Valdrin Pjetrit, Ditmir Bushati u distancua prej tij, ashtu si Partia Socialiste. Por ndryshe nga Selia Rozë, që e quan përgjegjësi individuale mashtrimin, Bushati kërkon që fajin ta mbajë edhe partia.
Ditmir Bushati-Tiranë, 28 Gusht 2019: “Natyrisht kjo nuk është një çështje që mund të trajtohet thjesht dhe vetëm në mënyrë ligjore e procedurale. As me zhvendosje vëmendje, me shkarkime në masë të njerëzve që s’kanë asnjë lidhje dhe asnjë fajësi për situatën e krijuar. Në rast se përgjegjësia për të kaluarën e secilit është një përgjegjësi individuale dhe ligjore, ne na takon që të njohim realitetin dhe përgjegjësinë politikë, të themi edhe na falni për rastin në fjalë dhe për komunitete të caktuara dhe të propozojmë reforma politike që ndërtojnë sisteme imunitare për një jetë tjetër politike”.
Faljen, tha Taulant Balla, kur u pyet nga gazetarët për kritikat e Bushatit, socialistët ua kanë kërkuar shkodranëve menjëherë dhe i rikujton ish-ministrit se Partia Socialiste po propozon masa më të ashpra për ata që nuk deklarojnë të shkuarën e tyre.
“E para, më lejoni të them se qoftë unë si Sekretar i Përgjithshëm, qoftë kryetari i partisë, që ditën e parë që është vërtetuar mospërputhshmëria e kandidaturës së z. Valdrin Pjetri me pritshmëritë e popullit të nderuar të Shkodrës, ne i kemi kërkuar popullit të Shkodrës ndjesë menjëherë. Megjithatë ju kujtoj këtu se përgjegjësia është vetëm personale”, tha Balla.
Rasti Pjetri nuk është i vetmi për të cilin ish-Ministri i Jashtëm dhe ish-drejtuesi politik i Shkodrës ka dy qëndrime. Në kryesi ai e sulmoi Partinë Socialiste në lidhje me aleatët që e mbështeten Valdrin Pjetrin. Edhe pse nuk e përmendi me emër, referenca ishte e qartë për deputetin Tom Doshi, i cili drejton Partinë Socialdemokrate. Por kur kërkonte votën për Mark Babanin para qytetarëve të Vaut të Dejës, Ditmir Bushati e vlerësonte partinë e Doshit si vizionare.
Ditmir Bushati-Vau i Dejës, 20 Qershor 2019: “Unë jam i bindur që për Markun do të jetë disa herë më e lehtë. Do të jetë disa herë më e lehtë, sepse Marku do të ketë mbështetjen e pakushtëzuar të Kryeministrit Rama për të bërë realitet projektet dhe vizionet që ka Marku, Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, koalicioni ynë i gjerë, në mënyrë që edhe këtu në Vaun e Dejës të hapet një kapitull i ri”.
Ditmir Bushati-Tiranë, 28 Gusht 2019: “Unë besoj fuqimisht që PS është partia e intelektit e progresit, e komuniteteve dhe ato gabime që kemi bërë në të shkuarën kur njerëz me të kaluar të dyshimtë, i përjashtuam nga radhët tona, u përshëndetëm publikisht nga SHBA, fatkeqësisht u rikthyen në tryezat tona vendimmarrëse. Dhe sot na duhet të administrojmë pasojat e këtyre gabimeve”.
Përballë këtyre qëndrimeve, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke dashur të minimizojë përplasjet në kryesi, foli për një normalitet këndvështrimesh të ndryshme brenda partisë, edhe pse në këtë rast bëhet fjalë për qëndrime të ndryshme në pak ditë të të njëjtit person me qëllimin për të fajësuar partinë ku militon. Qëndrime këto që tregojnë se Ditmir Bushati nuk ka qenë gjithnjë kundër Valdrinit apo Tomës, por që u është kundërvënë atyre vetëm pas shkarkimit të tij si drejtues politik i qarkut të Shkodrës.
Tv Klan