Nën rrënoja humbën jetën 51 persona, mes tyre edhe 8 fëmijë
Nga tërmeti i 26 Nëntorit të 2019 humbën jetën nën rrënoja 51 persona, mes tyre 8 fëmijë.
Durrësi dhe Thumana ishin dy zonat më të goditura ku pati edhe më shumë humbje jete.
Drama e madhe që la pas tërmeti i 26 Nëntorit ishte dëmtimi i një numëri të madh banesave dhe pallateve duke lënë të pastrehë qindra e mijëra familje.
Nga tërmeti i 26 Nëntorit u dëmtuan 95,235 banesa, shumica prej të cilave në Durrës dhe Tiranë. Një numër të madh ndërtimesh të dëmtuara pati edhe Vora, Shijaku, Kruja, Kurbini e Lezha. Afro 11 500 objekte u shkatërruan plotësisht. Ndërsa 84 mijë banesa rezultuan të dëmtuara lehtë dhe kërkonin riparim.
Dy vite më pas, nga 84 mijë banesa të dëmtuara lehtë, kanë marrë pagesë në lekë 49 mijë familje. Ndërsa 15 mijë familje trajtohen me bonus qeraje. Ndërkohë që 177 familje vijojnë të jenë ende në çadra apo në struktura konteniere edhe këtë dimër të tretë ata do ta kalojnë në të ftohtë. Nga 183 pallate të dëmtura, kanë përfunduar 23 dhe 90 janë në ndërtime sipër. Një pjesë e pallateve kanë problematika pasi banorët kundërshtojnë aktet e ekspertizës.
Punimet kanë avancuar në disa zona. Sipas Kryeminstrit Rama shpërndarja e apartamenteve në Thumanë do të fillojë brenda pak ditëve.
Po ashtu edhe në Bubq punimet e shtëpive individuale por edhe të pallateve kanë avancuar. 120 apartamentet pritet t’u dorëzohen shumë shpejt banorëve, banesat e të cilëve u prishën nga tërmeti.
Ndërkohë që edhe në Laç, ndërtimi i pallateve nga kompania turke është drejt përfundimit. Dhe shumë shpejt pritet që të shpërndahen 522 apartamentet e ndërtuara.
Punimet po vijojnë edhe në Krujë, Sukth –e Maminas, në Vorë, në Vaqarr, Ndroq por edhe në zona të tjera të Tiranës, si në Kombinat, apo në zonën 5 Maj.
Tërmeti i 26 Nëntorit është një nga tërmetet më të fuqishme të ndodhura në vendin tonë me magnitudë 6.4 Rihter. Shqipëria sipas ekspertëve të sizmiologjisë, është një ndër vendet më sizmoaktive në Europës për shkak të mikropllakës së Adrias dhe asaj Euroaziatike, shtytja e të cilave shkakton dhe lëkundjet sizmike. Ndaj ata apelojnë që vlerësimi i rrezikut sizmik duhet të shërbejë si bazë për kodin e ri antisizmik të ndërtimeve në vendin tonë dhe të respektohet nga ndërtuesit që të mos përjetojmë më ngjarje të tilla tragjike. Por edhe me kosto të larta financiare për buxhetin e shtetin.
Klan News