#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Udha e Shkronjave” – Valbona vs Luela

“Kujdes Shendetin” – Hipnoza – Dr. Fleura Shkëmbi

“Ka një mesazh për ty ” – “Fajet” e Marselës


Vitmar Basha e banda muzikore vijnë me një listë kërkesash për Marsela Çibukajn dhe tregojnë ‘fajet’ e saj

“Ka Një Mesazh Për Ty” i kushtohet sot një artisteje të talentuar që ka vjedhur zemrat e të gjithëve. Pak ditë më parë Marsela Çibukaj festoi ditëlindjen e saj në të cilën solli edhe mini-albumin “Petale”. Por djemtë që kanë ardhur për Marsela Çibukajn nuk kanë vetëm mesazhe dashurie, por një listë kërkesash për të.

Vitmar Basha, bashkëshorti i saj dhe banda e përbërë nga Arbri, Blerati dhe Piko duan t’i kujtojnë që duhet të jetë disi më e relaksuar, pa e shqetësuar veten edhe për gjërat e vogla.

Mesazhi fillimisht erdhi me veshjen e Pikos, i cili erdhi si asnjë i ftuar tjetër më parë në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan: me xhinse deri te gjuri, diçka të cilën Marsela nuk do ta kishte lejuar kurrë gjatë një shfaqjeje live. Ndër të tjera, djemtë na tregojnë edhe më shumë për natyrën e këngëtares përtej kamerës.


Vitmar: Sot kemi ardhur sepse e duam fort të gjithë në mënyrën tonë dhe t’i themi që jeta është më e bukur pa shumë preokupacione që ka ajo në përgjithësi, siç ishte i pari me Pikon, pastaj do vazhdojmë me listën.

Ardit Gjebrea: Pra ju keni ardhur me një listë me kërkesa. Cilat janë më thelbësore se ti the që nuk do të na dalin 4 emisione për të gjitha kërkesat që kam?

Vitmar: Po, e para është që ta dojë veten pak më shumë duke u munduar që ta heqë pjesën e ankthit para live sepse preokupacioni para live është ajo që e lodh më shumë sesa vetë live.

Ardit Gjebrea: Për çdo artist përpara se të këndojë live ka emocione, kështu që… apo ajo ka ndonjë gjë të ekzagjeruar?

Blerat: E ka gjithmonë herën e parë, sikur del për herë të parë në skenë, i njëjti emocion.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë thotë?

Blerat: Thotë “do ta fillojmë me këtë këngë, ‘Thërrime dashurie’”, Arbrit i thotë do fillojmë me këngën e Adele, “Set fire to the rain”, më thotë edhe mua “Set fire to the rain”, bëhu gati, filloje ti dhe unë bëhem gati për ta filluar dhe vetëm kur dëgjoj një akord pianoje, është kënga jonë.

Arbër: Sepse ndërkohë që Blerati është duke rregulluar tingullin e kitarës për “Set fire to the rain”, Marsela ka ardhur te unë dhe më ka thënë “Jon”.

Ardit Gjebrea: Ndërron mendje në mënyrë të jashtëzakonshme, po?

Arbër: Në çdo moment.

Vitmari vijon dhe thotë se edhe në shtëpi ndodh e njëjta gjë, Marsela nis të pastrojë shtëpinë për të larguar emocionet përpara performancës. Një kohë të gjatë merr edhe veshja dhe kur arrijnë në vendin ku do të performojnë, nis rituali i pastrimit të skenës që tashmë e shohin me humor.

Vitmar: Edhe sot ndodhi, në mëngjes, “do t’i futem të pastroj shtëpinë”, tha. Çfarë je duke thënë, si do të pastrosh shtëpinë, është mirë që të marrësh…relaksohu derisa të vijë ora që ne të ikim. E ka fiksim, para live do të lajë gjithë shtëpinë. Gjëja tjetër më e bukur është që kur merr një njeri që ta ndihmojë, e merr atë njeri që ta ndihmojë që ta mbajë me muhabet këtë se kjo bën punët, ajo rri bën muhabetin.

Arbër: Unë kur kam filluar të punoj me Marselën në fillim nuk e kuptoja akoma stilin sesi e kishte Marsela reagimin para live dhe filloja stresohesha vetë, çfarë ka që s’shkon me këtë? Një moment filloi po pastronte skenën, mori valixhet e tastierave, mori këllëfin e kitarës, po i pastronte nga skena. E pashë atë lëvizjen që po bënte dhe i thashë o Marsela, je që je merre këtë fshesën dhe vazhdo pastro gjithë lokalin se je në rregull, që të qetësohesh.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ti ankohesh për vonesat e saj, si ka mundësi?

Vitmar: Para live, nuk ka mjaftuar që ka pastruar gjithë shtëpinë, ka larë, ka shfryrë gjithë emocionet, ankthin, por nuk arrin dot të gjejë fustanin e duhur ose veshjen e duhur dhe kjo i ha gati 2-3 orë para live.

Ardit Gjebrea: Të merr mendim?

Vitmar: Po, gjithmonë.

Ardit Gjebrea: Dhe në fund bën me kokën e vet, bën të kundërtën?

Vitmar: Po.

Ardit Gjebrea bën një ‘faj’, ‘përmbys’ planet e Marsela Çibukajt me një surprizë

Marsela Çibukaj sapo ka sjellë mini-albumin e saj të parë me 4 këngë në ditën e lindjes së saj, njëra prej të cilave tashmë  gjendet në të gjitha platformat. Si çdo projekt tjetër i këngëtares, as ky nuk bën përjashtim nga kurimi deri në detaje për të sjellë përsosmërinë që ajo kërkon.

Por personat që kanë ardhur ta surprizojnë në “Ka Një Mesazh Për Ty” duan që ajo të shqetësohet më pak. Këngëtarja tashmë ka mbërritur në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan dhe nuk e ka mësuar ende se kush e pret pas ekranit, por fillimisht mëson se situata mund të dalë ndonjëherë edhe jashtë kontrollit të saj dhe të kthehet në diçka edhe më të bukur.

Kënga e dytë në albumin e Marselës titullohet “Fajet” dhe sipas kalendarit të saj, duhet të dalë pas dy ditësh. Por moderatori Ardit Gjebrea i ka ndryshuar tërësisht planet e saj duke e afruar datën e publikimit e cila është sot!


Ardit Gjebrea: Edhe ne kemi bërë një faj sot nëse mund të quhet faj.

Marsela Çibukaj: Çfarë keni bërë?

Ardit Gjebrea: Ti e di që unë kam shumë miqësi me studion ku ti ke regjistruar.

Marsela Çibukaj: Po, janë të gjithë djemtë të cilët kanë qenë prezent edhe në “Kënga Magjike”, janë si të gjithë ne, jemi të dashuruar me festivalin “Kënga Magjike”, por mbi të gjitha, Arditi për ne të gjithë është frymëzim.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë kënga “Fajet” nuk do të dalë pas dy ditësh.

Marsela Çibukaj: Por kur do dalë?

Ardit Gjebrea: Sot.

Marsela Çibukaj: Sot?

Ardit Gjebrea: Sot.

Marsela Çibukaj: Dhe unë nuk di asgjë?

Ardit Gjebrea: Jo.

Marsela Çibukaj: Okej.

Ardit Gjebrea: Kjo është surpriza e parë.

Marsela Çibukaj: Bukur fort! Të gjitha planet ndryshojnë.

Marsela do të performojë më vonë këngën e saj të re që menjëherë më pas do të publikohet edhe në Youtube.

“Asnjëherë s’të kemi kuptuar”, kërkesa e faljes së prindërve përlot Marsela Çibukajn

Surprizat sapo kanë filluar për Marsela Çibukajn në ”Ka Një Mesazh Për Ty” sepse ditëlindja e këngëtares duket se do të zgjasë edhe më shumë. Pasi mësoi nga moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea se kënga e dytë e albumit të saj, “Fajet” ndryshe nga ç’ishte parashikuar, do të publikohet këtë të diel, ka ardhur momenti për të zbuluar kush ndodhet pas ekranit.

Dyshimi i parë i këngëtares janë prindërit e saj, edhe pse ajo thotë se i ka përcjellë vetë për në Itali vetëm pak ditë më parë. Megjithatë, në ekran shfaqen pikërisht prindërit e saj që i kërkojnë falje dhe i shprehin krenarinë e pamatë Marselës së përlotur.


Babai i Marselës, Vladimir: Marsela, të keqen babi! Babi në fillim nuk e kuptoi që ti kishe pasion për muzikën, meqë ishe e shkëlqyer në shkollë mendoja që të bëheshe një avokate.

Nëna e Marselës, Adelina: Marsela, edhe mami të kërkon falje zemër sepse asnjëherë s’të kemi kuptuar! Ia vlejti me gjithë mend ajo zhurma e vogël që ti bëje nëpër shtëpi. Jo vetëm kaq, por në pushimet verore ti mundoheshe të punoje për të blerë një instrument kështu që zhurma u shumëfishua në shtëpinë tonë, por ia ka vlejtur me gjithë mend ajo zhurmë sepse arrite atje ku je sot. Ne jemi shumë krenarë për ty shpirt i mamit, të urojmë suksese dhe jemi prindërit më të lumtur në botë.

“Dy prindër të mrekullueshëm! Një surprizë shumë e bukur! Faleminderit Ardit!”, tha këngëtarja mes lotësh.

Lajm 4: Rrinte me orë të tëra në tualet duke imituar Jennifer Lopez, motra kujton fillimet e Marsela Çibukajt

Ditëlindja e Marsela Çibukajt ishte disa ditë më parë, por festa vazhdon edhe në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Këngëtarja është ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan nga disa njerëz shumë të veçantë, por ajo ende nuk e ka mësuar se kush e pret pas ekranit.

Pas videomesazhit të papritur të prindërve, Marsela hamendësoi se mund të jetë motra, Jonida. Në njëfarë mënyre, edhe ajo është e pranishme në këtë ditë speciale për të përmes një mesazhi ku kujton fillimet e Marselës në muzikë dhe rrugëtimin e saj drejt majave.

Motra e Marselës, Jonida: Kujtimi im më i bukur me ty ka qenë kur të kam përzënë nga dhoma e gjumit dhe të çova në sallon sepse në dhomën e gjumit e kishe mbushur plot me mikrofonë, amplifikatorë, tastierë, me çdo instrument dhe nuk kishte më vend për mua. Ose e mbaj mend shumë mirë kur ziheshim sepse më bllokoje banjën, rrije tre orë në banjë dhe imitoje Jennifer Lopez me tharëse flokësh. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që nga ajo dhomë aq e vogël ti të arrije me muzikën tënde në këto skena kaq të mëdha. Çfarë të them? Të kam zemër!

“Hyre në shtëpinë tonë si rreze drite kur kishim dhimbje”, vjehrra surprizon Marsela Çibukajn

Rubrika  “Ka Një Mesazh Për Ty” ka përgatitur një mori surprizash për Marsela Çibukajn në javën e saj të ditëlindjes. Pas videomesazheve nga familja e saj e ngushtë, prindërit dhe motra,  është momenti që të shohë se kush është personi i radhës që ka disa fjalë për të.

Moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ‘e ngatërron’ paksa këngëtaren dhe i thotë se “jo vetëm Vitmari, por edhe vjehrra ankohet” për të. Në të vërtetë, nëna e Vitmarit i ka dërguar një nuses së saj një mesazh të tejmbushur me dashuri.


Nëna e Vitmarit, Geisu: E dashur Marsi! Kur hyre në shtëpinë tonë ke hyrë në një moment kur ne patëm një dhimbje shumë të fortë dhe erdhe si rreze drite te ne. Ti për mua je një muzikë pa fund. Je me të vërtetë një shpirt artistik dhe kënaqësia më e madhe që mund të ndiejë një nënë është të shoh që im bir është i lumtur me ty, është i kënaqur, është i qetë. Të du’ fort dhe vazhdo të jesh gjithmonë kjo që je!

Marsela Çibukaj: Geisu, sa e dashur që është! Një zonjë grua e jashtëzakonshme dhe shumë frymëzuese, jo vetëm shpirtërisht por edhe artistikisht. Është kritikuesja por edhe këshilluesja më e mirë për sa i përket edhe përzgjedhjeve muzikore duke qenë se është profesioni i saj, i dirigjentes së orkestrës, pianiste e jashtëzakonshme, për mua është një pikë referimi shumë e rëndësishme. E dua shumë, e du’ fort, si e thotë në mënyrë tironce, e du’ fort.

Dueti i munguar me Vitmarin, Marsela Çibukaj zbulon pse nuk është realizuar ende

Në ekranin e “Ka Një Mesazh Për Ty” u shfaq një listë kërkesash për Marsela Çibukajn të shkruara nga personat që e kanë ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Më pas, disa fshesa të ndryshme që tregojnë zakonin e saj për të pastruar skenën përpara çdo performance u shfaqën në studio duke e nxitur të mendonte një emër.

Këngëtarja pati disa ide duke përmendur ata që i vinin ndërmend, por pyetja e fundit e bindi se është partneri i saj, Vitmari. Ajo iu përgjigj edhe pyetjes duke zbuluar pse nuk kanë ende një duet asë bashku.


Marsela Çibukaj: Është Vitmari.

Ardit Gjebrea: “Një duet bashkë do ta kemi apo jo?”

Marsela Çibukaj: Faktikisht është një duet që të gjithë presin, unë mendoj që është Vitmari sepse unë kam bërë bashkëpunime edhe me artistë të tjerë por me artistin që kam në shtëpi ende jo. Kjo sepse sa herë që ne ulemi për të kompozuar diçka bashkë, ai ka frymëzimin e tij, unë kam timin dhe sigurisht që kemi ato përplasjet stilistike në kompozimin e këngës dhe ngaqë kam lirshmërinë apo lirinë që edhe të mërzitem më thjesht me një person  që e kam të zemrës, e kam të afërt sesa me një kompozitor me të cilin punoj në studio, me Vitmarin ndërpritet gjithmonë puna sa ka filluar kështu që s’kemi përmbyllur asnjëherë një projekt bashkë. Unë mendoj që është Vitmari.

“Mos e ndëshko veten dhe as ne”/’Bashkëvuajtësit’ i shprehin kërkesën Marsela Çibukajt

Më në fund mbërriti momenti që Marsela Çibukaj të mësonte kush e ka ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Këngëtarja u habit kur pa se pas ekranit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, nuk ndodhej vetëm partneri, Vitmari siç ajo mendonte, por edhe djemtë e grupit muzikor: Arbri, Blerati dhe Piko.

Në fillim të programit, ata ‘u ankuan’ për kërkesat e Marselës dhe këtë herë i dërguan asaj një listë me kërkesat e tyre. Gjëja më kryesore që ata duan t’i shprehin si ‘bashkëvuajtës’ është të jetë më e qetë pasi e bën punën e saj në mënyrë të përsosur dhe nuk është nevoja të lodhet aq shumë pasi të gjithë janë në çdo kohë pranë saj.


Vitmar Basha: O Marso, kemi ardhur të gjithë sepse jemi të gjithë bashkëvuajtës në këtë situatë.

Marsela Çibukaj: Kanë të drejtë, s’jam kundër.

Vitmar Basha: Por duhet të dish që ne të duam shumë fort, secili në mënyrën e tij dhe e vetmja gjë që të kërkojmë është që ta duash pak më shumë veten duke mos e ndëshkuar veten kaq shumë dhe rrjedhimisht ne.

Ardit Gjebrea: Ke hallin tënd apo të Marselës?

Marsela Çibukaj: Të vetin. E di unë se ku do të arrijë.

Vitmar Basha: Tani u emocionova dhe unë se ka qenë e gjitha një javë që unë mundohesha të fshihesha. Gjithsesi unë të uroj që me ndihmën e Zotit, energjisë, natyrës dhe shoqërisë dhe talentit që ke, të kesh mundësi që të ecësh më shumë sesa gjysma e asaj që ti punon. Ti punon 100%, gjithmonë ke marrë 50%, shpresoj që të bëhet e anasjellta, shpresoj që të punosh 50% dhe të fitosh 100% sepse unë e di që ti lodhesh psikologjikisht dhe nga pikëpamja e analizave mendore që bën gati 200% dhe mendoj që e ndaj këtë gjë edhe me çunat.

Ardit Gjebrea: Dhe Arbri në emër të band-it?

Arbër: Në emër të band-it, e para,  s’kemi asnjë fjalë për të thënë njëherë. Ishte pak a shumë e njëjta gjë që thotë edhe Vitmari, ne duam që ti të jesh e qetë në çdo moment, ne na ke në mbështetje gjithë kohës, mos u preokupo shumë për punët e të tjerëve, punën tënde e bën më së miri, ti ia ke dalë në çdo moment dhe vazhdo kështu!

“Shihemi në gjyq ” – Vëllai le trokë motrën


“E doja dhe i besoja shumë”, të ardhurat e 40 vjetëve përfundojnë në duart e bashkëshortit

Selimja ka thirrur në “Shihemi në Gjyq” vëllain, Tomorrin. Ajo thotë se ai është shkak që ajo nuk ka patur dijeni për kalimin e pasurisë drejt djalit. Tomorri ka marrë një prokurë nga Yzeiri, bashkëshorti i Selimes dhe sipas udhëzimit të tij, e ka kaluar pasurinë e çiftit në emrin e tij dhe të djalit të tyre.

Selimja e akuzon të vëllain në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se ai nuk e ka vendosur në dijeni. Megjithatë, rezulton se as ajo vetë nuk ka ditur asgjë se ku shkonin të ardhurat e saj të 40 viteve sepse ia kishte lënë gjithçka në dorë bashkëshortit që thotë se “i besonte shumë”.


Selime: Kam punuar 40 vjet punët më të vështira, punët më të rënda.

Eni Çobani: Ku ke punuar?

Selime: Kam punuar në Shqipëri në fermë, mjelëse lopësh, kam punuar dhe në Greqi sanitare, kam mbajtur njerëzit më të vështirë me të metat mendore.

Eni Çobani: Shumë mirë, po. Ku i çoje këto paratë?

Selime: U mbyll puna në Greqi, ikëm në Itali.

Eni Çobani: Zonjë e nderuar, ku i ke çuar paratë që ke marrë edhe si mjelëse, edhe si sanitare?

Selime: T’i tregoj unë bashkëshortit ia kam dhënë bashkëshortit se e doja shumë, e besoja shumë dhe kishim shumë marrëdhënie të mira. Si përfundim ai i ka hedhur të gjitha në emër të vet, nuk e di çfarë ka bërë, mua as më pyeste, se ku i çonte, se ku i bënte, ore si e ke menduar, ”hë se do e rregullojmë në fund” dhe unë besova.

Eni Çobani: Kur në fund?

Selimja: Sot jam kështu, bilbil.

I moshuari grek i dhuroi shtëpi dhe 25 dylymë tokë, burri lë gruan jashtë pasurisë

Selimja thotë se bashkëshorti i saj, me të cilin është ndarë prej 10 vitesh por jo ligjërisht, i ka bërë shumë padrejtësi. Si fillim, ai i ka dhënë një prokurë vëllait të Selimes, Tomorrit që ajo e ka thirrur në “Shihemi në Gjyq” për të kaluar pasuritë e tij në Shqipëri nën emrin e vet dhe të të birit duke mos përfshirë Selimen.

Jo vetëm kaq, por edhe me pasuritë e tyre në Greqi ka ndodhur e njëjta gjë. Bëhet fjalë për një pasuri të konsiderueshme që i habit të gjithë të pranishmit në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan pasi çifti e ka përfituar përmes dhurimit.


Eni Çobani: Si e fitove shtëpinë në Greqi?

Selimja: Ma dhuroi greku sepse e mbajta, i shërbeva. Shtëpinë dhe 25 dylymë tokë.

Eni Çobani: Bravo! Greku?

Selimja: Po, ma dha me letra, bëra dhe gjyq atje…

Tomorr: Mirëpo kjo s’ka emër fare atje, s’figuron emri fare!

Selimja: Mbaja pleqtë, bëja punën…

Ardit Gjebrea: Po mendoja, ata kishin fëmijë apo jo?

Selimja: Jo, s’kishin as fëmijë, asgjë.

Eni Çobani: Prandaj ta lanë ty.

Selimja: Po. Edhe unë e mbajta shumë mirë, edhe kur vdiq u bë varrimi nga ne, shpenzimet të gjitha nga ne.

Eni Çobani: Shumë mirë, t’i gëzosh!

Ardit Gjebrea: 25 mijë metra katrorë në Greqi, ku?

Selimja: 25 mijë metra katrorë në Volos dhe si përfundim, unë besova burrin, e doja shumë dhe ky i bën letrat në emrin e vet, në emër të djalit, mua më nxjerr.

Duke qenë se personi për të cilin kujdesej Selimja kishte probleme të shëndetit mendor, kontratat e dhurimit i bëri motra e tij. Sipas kërkesës së bashkëshortit të Selimes, Yzeirit, ajo regjistroi gjithçka nën emrin e tij.

Ardit Gjebrea: Pse motra e zotërisë nga Greqia ia dha Yzeirit?  E njihte mirë?

Selimja: Po. Kishte 30 vjet atje. Jo se e njihte për ndonjë gjë, por i bëri letrat se tha ky i rregullojmë vetë ne. Unë t’i bëj në emrin tim dhe në emër të çunit dhe i bëri në emër të vet dhe të çunit. Po pse s’më shkruajti mua ai po shkroi vetëm veten?

Ardit Gjebrea: Pyeta se 25 mijë metra katrorë kështu kot…

Selimja: 25 mijë metra katrorë!

Ardit Gjebrea: Në momentin që ata ishin me të meta mendore, motra mund…

Selimja: Motra ishte shumë në rregull.

Eni Çobani: Jo, jo ata personat.

Ardit Gjebrea: Po them, në momentin që ata zotërinjtë…

Selimja: Motra tha do t’i bëj unë letrat se jam shumë e kënaqur që e mbajtët mirë dhe do ia dhuroj unë Anxhelës se Anxhela e kisha emrin atje unë.

Ardit Gjebrea: Në fakt motra mundet që edhe t’i kishte mbajtur për vete sepse në fund të ditës, ishte vëllai.

Selimja: Edhe motra e pamartuar ishte, kishte shumë pasuri dhe këtë të Nikos do ia dhurojmë Anxhelës tha, për mua.

Ardit Gjebrea: Motra ishte e pamartuar?

Selimja: E pamartuar.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë Yzeiri ishte i martuar.

Selimja: Ishte me mua pra. Zoti Ardit, ajo jo ishte… e madhe, por nëse…

Ardit Gjebrea: Ishte e madhe.

Selimja: Ju qeshni, po mua më ka rënë halli.

“E kam shoqe prej kohësh”, Selimja rrëfen tradhtinë e bashkëshortit: I kapa videot në telefon

Selimja është ndarë prej 10 vitesh me bashkëshortin e saj, Yzeirin edhe pse jo në rrugë ligjore. Ajo shpjegoi në “Shihemi në Gjyq” se ka mësuar që ai pasuritë e përbashkëta në Shqipëri e Greqi i ka kaluar nën emrin e vet dhe të djalit duke e lënë Selimen pa asgjë.

Por në pjesën e dytë të rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Selimja thotë se burri që ajo i besoi në 45 vite martesë me të cilin ka 3 fëmijë e që i dorëzonte të ardhurat e 40 viteve, ka gjetur dikë tjetër.


Selimja: Me burrin kam shumë kontradikta tani, shumë dallavere me një fjalë. Ai, i kapa nja dy mesazhe në telefon dhe thoshte “e kam një shoqe në Lushnje, e kam prej kohësh”.

Ardit Gjebrea: Çfarë kishte?

Selimja: Kam një shoqe thoshte por e kam prej kohësh.

Ardit Gjebrea: Një shoqe në Lushnje?

Selimja: Edhe unë nga ai mesazhi, i bëj ndarjen se unë të punoj si qeni…

Eni Çobani: Shoqe, tani mund të ketë shoqe Yzeiri por s’e ka…

Ardit Gjebrea: I ka kapur mesazhet.

Selimja: Video, jo mesazhe, video.

Ardit Gjebrea: Video?!

Selimja: Po, që flisnin njëri me tjetrin. Unë të punoj si qeni 40 vjet dhe ti të bësh çfarë të të dojë qejfi, nuk më ka pyetur për asgjë, çfarë ka bërë, çfarë s’ka bërë, lekët i kemi  nëpër banka, s’ma ka shkruar emrin në asnjë vend, unë dua të më shkruhet emrin nëpër banka. Ka dy emra nëpër banka, Yzeir dhe Thoma. Edhe në Greqi kemi lekë në bankë,  as atje s’ma ka shkruar emrin. Edhe ai mua më ka nxjerrë çfarë të të them!

Eni Çobani: Pra ti dyshon që ai është lidhur me dikë…

Selimja: Unë nuk e di çfarë ka bërë ai me jetën e vet, meqenëse ai e bëri kështu, unë dua familjen time, dua kalamajtë e mi, ai le të vazhdojë jetën e vet meqenëse e zgjodhi, mua të më kthejë djersën time dhe të shikojë jetën e vet.

Selimja shton se bashkëshorti ka gjetur si justifikim mungesën e saj në shtëpi për shkak të ndihmës që i ofron vajzës së tyre në Itali.

Selimja: Burri im dashuron një tjetër dhe të thotë ku të kam parë!  Po unë që kam rritur tre fëmijë?  tani gjeti justifikim se gocën e kam me probleme atje në Itali, pse ndihmoj gocën unë, i mbaj fëmijët, ia çoj në shkollë, ia marr, “eh, ti e ke mendjen te goca”,  po tani gocën ta lëmë rrugës? Unë jam nënë, nëna shkon atje ku është më keq.

Eni Çobani: Ashtu është! 

Ardit Gjebrea: Po pse ai rpandaj i shkruan zonjës?

Selimja: Po  prandaj, gjoja…se s’di ku të kapet se e kapa unë.

Eni Çobani: Ka gjetur arsye se “më ke lënë vetëm, kur mëke lënë vetëm unë kam gjetur një zgjidhje tjetër”, ka gjetur një zonjë, e kupton? Pra nëse ti po merresh me vajzën unë po merrem me këtë zonjën.

Selimja: Unë iki në orën 5 të mëngjesit e vij në 1 të natës.

Eni Çobani: Po ai pse s’vjen te vajza?

Selimja: E kam kapur për dore, hajde rrimë bashkë, ndihmojmë gocën, s’do t’ia dijë fare. Ka mbaruar çdo gjë. Zonja Eni, unë kam shpresë vetëm te ti se ka mbetur ti dhe Zoti. Të gjithë ma kanë pasur me hile.

Selimja përmbyll duke thënë se tashmë nuk dëshiron asgjë, do vetëm familjen e saj dhe atë që i takon nga pasuria.

“Ma theu zemrën!”, Selimja i jep fund martesës 45-vjeçare: Më la të vetme me 3 fëmijë për 15 vjet!

Selimja është gati që t’i japë fund martesës së saj 45-vjeçare. Tashmë ajo dhe bashkëshorti, Yzeiri janë ndarë prej 10 vjetësh por nuk janë divorcuar ende. Së fundmi, ajo ka zbuluar se ai ka kaluar pasuritë e tyre në Shqipëri e Greqi duke lënë jashtë Selimen.

Për këtë, ai ka përdorur Tomorrin,  vëllain e Selimes duke i dhënë një prokurë që të ndiqte procedurat në Shqipëri. Selimja u përball në “Shihemi në Gjyq” me vëllain e saj për këtë, i cili e pranoi gabimin e tij dhe ajo kërkon pjesën e saj.

Sipas ligjit, Selimes do t’i kthehet gjithçka që i takon por martesën do që ta ndërpresë. Ajo është e prekur edhe nga tradhtia e bashkëshortit që e rrëfeu gjatë rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Dashuria e mëparshme për të është kthyer në një zhgënjim sepse i ka thyer zemrën.


Eni Çobani: Ai e kërkon divorcin?

Selimja: Unë po se ka një vit s’flet me mua ai!

Eni Çobani: Atëherë do fillosh…

Selimja: Ç’e dua? Kam 10 vjet.

Eni Çobani: Po pse ç’e dua?

Selimja: Po s’e dua më! E doja shumë por ma theu zemrën! Më ka bërë gjithë këto… ç’e dua më? Ia fshin emrin nënës së fëmijëve dhe i thua s’të kam në listë as të gjallë, as të vdekur!

Eni Çobani: Po ndoshta kthehet Yzeiri, çfarë do t’i thuash?

Selimja: Mirë, thirre. Në qoftë se kthehet gratë ulen gjithmonë të shkretat, por unë për veten time ma ka thyer zemrën, nuk e dua.

Eni Çobani: Po the këtë fjalë ai nuk vjen, po the ndonjë fjalë që kthehu dhe vazhdojmë familjen, ndoshta kthehet.

Ardit Gjebrea: Ndoshta këtë herë duhet t’ia kërkojë ai zonjës.

Selimja: Të m’i kthejë të gjitha këto dhe të bëjë çfarë të dojë me jetën e tij. Jo me video e telefonata të merret, por edhe me televizione për mua se është një çikë i zgjuar ai, do ta shikosh ti. Por mua nuk ma hedh dot ai kështu mbrapa krahëve. E kapa një çikë me vonesë se unë isha në gjumë, bëja punë dhe gjumë por më erdhi dita.

Eni Çobani: Çfarë kape me vonesë? Kape me vonesë këtë lidhjen tjetër apo si?

Selimja: Shikoja punën, shikoja kalamajtë. Më ka lënë 15 vjet vetëm në shtëpi dhe vinte një herë në vit nga Greqia, një herë nuk i kërkova llogari “pse s’bie lekë”, vetëm me forcat e mia. Mbaja lopë, pula, rrisja kalamajtë. M’i ka lënë të tre si zogjtë e korrentit dhe jam shumë e prekur.

“Të Panjohurit” – Majlinda Marku

/tvklan.al