#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#arditgjebrea #zhaklinapeto #ambasadore#ambasade#shqiptare #Podgorice #sandrabojaj #kaltrinahoti #enisagjokaj #sabinaosmanovic #arlindaosmani #zylfijegjoniduraku #dranemarvuciq #zanaivezaj

E pamposhtur! Nënë e 4 fëmijëve dhe e ve, Sandra vijon misionin e bashkëshortit

 “Ka Një Mesazh Për Ty” ka dalë nga studioja e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për të shkuar tri orë larg Tiranës, në Podgoricë. Me rastin e festës së 8 Marsit, është organizuar një festë për gratë shqiptare që  jetojnë në Mal të Zi. Ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto ka ftuar Ardit Gjebrean për të zbuluar historitë e grave që përpiqen të ruajnë identitetin.

Siç ajo shpjegon, shqiptarët në Mal të Zi kanë bërë progres pasi mund të përdorin gjuhën, simbolet kombëtare, kanë shkolla shqipe dhe një degë në universitet, por ka ende punë përpara. Ndihet ende mungesa e përfshirjes së tyre në administratë e qeveri dhe përpjekjet nuk reshtin.

Në prezantimin me gratë shqiptare në Mal të Zi ndahen historitë e tyre. E para është Sandra e cila drejton një prej televizioneve të para shqiptare atje duke vijuar misionin e bashkëshortit të ndjerë.  Sfidës së Sandrës si grua shqiptare në Mal të Zi i shtohet edhe të qenët nënë e 4 fëmijëve, por ajo është e vendosur për të mos u dorëzuar.

Ardit Gjebrea: Si e keni hapur televizionin?

Sandra: Televizionin e ka hapur bashkëshorti im i ndjerë në vitin 2001 dhe si ide që të jetë një shtëpi ku të gjithë shqiptarët mund të vijnë, flasin dhe të kenë zërin, çdokush të kenë derën hapur që të thonë atë që u mungon, që kanë dëshirë dhe çfarë u takon normalisht shqiptarëve në Malin e Zi.

Ardit Gjebrea: Ju thoni bashkëshorti i ndjerë, nuk jeton më?

Sandra: Nuk jeton më që prej 15 vjetësh.

Ardit Gjebrea: 15 vite, pra pas 9 viteve ju duhej juve që ta udhëhiqnit.

Sandra: Po.

Ardit Gjebrea: Ishte e vështirë?

Sandra: Shumë. Ishte e vështirë sepse humb shokun e jetës, humb të gjitha ëndrrat, dëshirat, planet që ke pasur dhe duhet të vendosësh që çfarë do të bësh. A do ta mbash tashmë këtë barrë sepse ka goxha obligime, sakrificë, edhe kur ke 4 fëmijë shumë të vegjël.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishin?

Sandra: Vajza e madhe ishte 11, djali është me spektrin e autizmit, djali kishte 8, vajza tjetër kishte 4 dhe e vogla kishte 2.

Ardit Gjebrea: A ka pasur ndonjë moment që thonit se duhet ta mbyll televizionin?

Sandra: S’ka pasur ndonjë moment që do ta them se duhet ta mbyll, por ka pasur momente që kam thënë pse, çfarë më duhet mua gjithë kjo sakrificë e  gjithë kjo punë? Por ku e di unë, njeriu forcohet, e kam marrë si mision të burrit tim. Ai e ka pasur si fëmijë të vetin, nuk e ka parë më si biznes, e ka parë si diçka që donte ta bënte për shqiptarët e Malit të Zi.

Familja u shpërngul në Kosovë për të ruajtur gjuhën shqipe, piktorja rebele lë SHBA-në për Hotin

Përtej vështirësive e sfidave, gratë shqiptare në Mal të Zi kanë vendosur që çdo ditë, nga pak, pa ndalur, të kontribuojnë që identiteti të ruhet. Në një aktivitet të veçantë për 8 Marsin, të ndjekur nga afër nga rubrika “Ka  Një Mesazh Për Ty” në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ato rrëfejnë historitë e tyre.

Ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, e prezanton Ardit Gjebrean me këto gra luftarake që armën më të mirë kanë talentin e mendjen e tyre. Kaltrina është piktorja sa rebele, aq edhe intelektuale që refuzon t’i dorëzohet harresës. Familja e saj sakrifikoi për të ruajtur gjuhën dhe pas 32 vitesh në SHBA, ajo u kthye te rrënjët e veta në Hot.

Ardit Gjebrea: Çfarë ju lidh juve me Hotin? Mos kujtoni që nuk kam informacion!

Kaltrina: Hoti është vendlindja ime. Është një ndër ngjyrat e shpirtit tim.

Ardit Gjebrea: Unë di një detaj që është shumë i rëndësishëm: për të ruajtur gjuhën, familja juaj u shpërngul në Kosovë për të vijuar në momentet e vështira që po kalonin shqiptarët.

Kaltrina: Po. Pikërisht unë nuk e kam ditur gjuhën shqipe kur kam shkuar në klasë të parë. Ia kam borxh Kosovës mundësinë për të ruajtur gjuhën. Më vonë, kur erdhi ajo era e jetës që na detyroi të shkojmë edhe më larg, shkuam në Nju-Jork dhe aty ishte një periudhë e gjatë e jetesës sime, 32 vite dhe dikur e kuptova që të gjitha ato që jam duke i kërkuar, ishin në Hot, nuk janë në Nju-Jork. Të gjithë çuditen dhe shpesh më pyesin, si mundesh..

Ardit Gjebrea: Pas 32 vitesh.

Kaltrina: Por unë nuk pajtohem shumë me atë pyetje të them të drejtën se ne kur kemi shkuar nuk e kemi ditur kulturën e atij populli ku po shkojmë, nuk e kemi ditur sesi të marrim një njeri dhe ta hedhim midis malit dhe kemi arritur. Para se të kthehesha, isha autore e tre librave në gjuhën angleze, u bëra piktore e njohur në atë zonë, bëra ekspozita dhe kur e pashë që dyert po hapeshin atje, atëherë thashë çfarë dua në realitet? A të rri, nuk do të them që do të isha më e mira në botë se në art nuk ekziston fjala  më i miri, më e mira se të kisha ndenjur atje unë atje, do të isha artiste.

Ardit Gjebrea: Po të kishe ndenjur, si do të takoheshim ne?

Kaltrina: Hë pra! Kjo galeri që është hapur në Hot ka një rëndësi tepër të madhe sepse unë në Hot gjeta njeriun pa zemër duke vdekur. Njeriu është njeriu, ka zemër,  vdes lehtë, por njeriu që s’ka zemër është duke vdekur, ajo ishte shumë e vështirë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Kaltrina: Sepse aty e pashë  asimilimin e vazhdueshëm modern dhe për të mos hyrë shumë thellë në politikë, ky popull që ka mbetur në Hot që i takon Plavës, ishte i injoruar nga të gjithë, së pari nga njeriu vetë e të tjerat. Aq më bënte një dhimbje të madhe që në 6 vitet e fundit, asgjë tjetër s’mund të shpreh në pëlhurë përpos dhimbjes që shoh në ballin e tyre rrugës, në pëshpëritjen e njerëzve kur flasin shqip fshehtas.

Shkroi historinë e maternitetit në Ulqin, rrëfimi i mjekes së parë shqiptare në Malin e Zi

8 Marsi është Dita e Gruas për të festuar qenien e saj, por festa s’do të qe e plotë pa kuptuar sfidat dhe fitoret e gruas edhe kur duket e pamundur. Gratë shqiptare në Mal të Zi janë një nga rastet kur sakrifica me dëshirën për të bërë ndryshimin dhe ruajtur identitetin, bashkohen duke rezultuar në një triumf.

Në vizitën në Podgoricë në kuadër të një aktiviteti që ambasada shqiptare në Mal të Zi ka organizuar,  drejtuesi i programit “E  Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea njihet me disa histori. Gratë e vajzat shqiptare në Mal të Zi ndajnë rrëfimet e tyre me rubrikën “Ka Një Mesazh Për  Ty” si Sabina që i është dashur të tejkalojë paragjykimet për të studiuar në Austri dhe dhënë më pas kontributin e saj.

Mbresëlënëse është edhe historia e Zylfie Gjoni Durakut, mjekes së parë shqiptare në Malin e Zi që e ka ndier diskriminimin në lëkurë. Duke iu mohuar specializimi, ajo la punën që të shkonte në Novisad e të  kthehej si mjeke gjinekologe. Bashkë me dy kolege të sajat, kanë kontribuar në çeljen e maternitetit në Ulqin që pati një nisje të mbarë që në ditën e parë të tij.

Ardit Gjebrea: Në cilën moshë ju keni filluar të ushtroni profesionin si mjeke?

Zylfie Gjoni Duraku: Në moshën 25-vjeçare. Ka qenë një kënaqësi e madhe për popullintonë shqiptar kur te mjeku nuk ka pasur më nevojë të marrin përkthyer për të përkthyer një pacient, por janë në gjuhën shqipe kështu që ka qenë vërtet shumë mirë për ta dhe për mua të jap kontrbutin tim popullit tim. Dihet,  ne kemi qenë të diskriminuar, ana jonë profesionale ndoshta që personalisht unë kam përjetuar diskriminim për fat të keq. Unë  si mjeke kam punuar për 13 vite në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin dhe nuk më është dhënë specializimi. Duke mos m’u dhënë një specializim, kam lënë punën në kohën kur ndoshta dikush kërkon punë, unë kam lënë punën vetëm e vetëm të kryeja specializimin e gjinekologjisë për arsye se kemi pasur një mjek shqiptar i cili vdiq shumë i ri dhe gratë në Ulqin mbetën pa gjinekolog.  Atëherë ia kam vënë vetes detyrë që të lë fëmijët, të shkoj në Novisad me vetëfinancim, me vetëfinancim kam kryer specializimin për t’u kthyer si gjinekologe e për të ndihmuar gratë tona. Jo vetëm unë, kam dy koleget e mia që jemi rast unik në Mal të Zi dhe jemi bërë faktorë kyç për çeljen e maternitetit në Ulqin,  në 2005, është çelur materniteti në Ulqin që kemi bërë një punë shumë të madhe dhe ka qenë kënaqësi e madhe që ditën e parë që është çelur materniteti kemi lindur fëmijën e parë, banorin e parë të Ulqinit. Ajo do të mbetet për mua, gjëja më e bukur e atij materniteti që Ulqini është bërë me banorët e vet se  ne kemi lindur në spitale të tjera dhe shkruhej banor i Tivarit, nuk shkruhej banor i Ulqinit dhe për mua,  profesioni im nuk ka qenë vetëm profesion, por ka qenë mision! Pra të jemi shqiptarë, të lindim aty ku kemi të drejtë dhe të shkruhemi se jemi banorë të Ulqinit, të kemi të drejtën të flasim këtë gjuhë të bukur, të ruajmë kulturën tonë, identitetin tonë, të luftojmë për të drejtat tona, legjitime dhe të mos heqim kurrë dorë!

/tvklan.al