#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#arditgjebrea #eriondehari #lutfie #strehe #bashki #qender #aksident #fushekruje #biresim #certifikate #ostren #tirane #shtepiefemijes #adn#forensicenteralbania #xhevahir #retina #ekspert #neurologe #brunildazllami

“Ti qenke i adoptuar!” Erioni kërkon familjen biologjike pas 46 vitesh

Rubrika “Ka Një Mesazh Për Ty” është zhvendosur në zyrën e moderatorit të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas. Ai shpjegon se shtatorin e shkuar, në adresën e programit kishte mbërritur një mesazh nga Erion Dehari, i cili pas 46 vitesh kërkon të gjejë nënën e tij biologjike.

Gjebrea mirëpret Erionin në zyrë i cili nis të ndajë kujtimet e tij të para kur nisi të kuptonte që nuk ishte djali biologjik i familjes ku rritej dhe momentin kur e mësoi të vërtetën.

Erion: Unë quhem Erion Dehari dhe vij nga qyteti i Fushë-Krujës, banues.

Ardit Gjebrea: Aty ke lindur?

Erion: Jo, kam lindur në…atje kujam rritur domethënë quhet Ostren i Vogël.

Ardit Gjebrea: Nuk the se ku ke lindur, nuk e di se ku ke lindur, jo?

Erion: Jo, nuk e di.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç je ti?

Erion: Unë jam 46.

Ardit Gjebrea: Datëlindja?

Erion: 15 maj 1979.

Ardit Gjebrea: Në cilën moshë ti për herë të parë dyshove një fjalë që u bë edhe motivi pse sot je këtu?

Erion: Kam qenë në klasë të parë, fëmijë, në shkollë, si puna jonë ndonjëherë kur ziheshim, “të kanë marrë” më thoshin kalamajtë.

Ardit Gjebrea: Si të thoshin kalamajtë, kur ziheshit?

Erion: Po, kështu ndonjëherë. “Ti s’je i filanit”.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin mami?

Erion: I Seitit dhe i Nexhmijes.

Ardit Gjebrea: Pra babai Seit, nëna Nexhmije. Thoshin “ti nuk je fëmija i tyre”.

Erion: Po, të kanë marrë më thoshin mua.

Ardit Gjebrea: Ti çfarë bëje?

Erion: Pastaj vajta në shtëpi, i thasha mamit. Mami thoshte “jo, ti i joni”.

Ardit Gjebrea: Çfarë i the mamit kur vajte në shtëpi?

Erion: Mami i thashë, aty në shkollë fëmijët më thonë kështu. Më keni marrë? Jo të keqen mami, ti je yni. Nuk tregonin.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti i parë që ti fillove të dyshoje seriozisht?

Erion: Pati një periudhë në vitin ’98. Gjendjen civile e kishim në Ostren të Madh.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe ti?

Erion: 18. Natyrisht, që të marr një certifikatë vajta te kryetari i gjendjes civile. Hapi ai regjistrin, aty gjeti një dokument. E lexoi dhe tha “ti qenke i adoptuar”, aty e mora vesh pastaj.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndieve në atë moment?

Erion: Ngela.

Ardit Gjebrea: E more dokumentin?

Erion: Aty më lexoi emrat e babait dhe nënës.

Ardit Gjebrea: Tani te dokumenti emri i babait dhe nënës nuk ishte i prindërve që  të kishin rritur?

Erion: Jo, i atyre biologjikëve.

Ardit Gjebrea: Dhe si ishin?

Erion: Kujtim Dema, emri i babait dhe Lutfije Dema.

Ardit Gjebrea: Erioni tregon si erdhi tek e vërteta.

Erion: Para se t’ju shkruaja juve, vendosa dhe i thashë mamit pastaj.

Ardit Gjebrea: Çfarë tha mami?

Erion: Pranoi pastaj, filloi të qante. Edhe sot qan shumë.

Ardit Gjebrea: Normale që të do.

“Çdo rrugë të çon tek ajo”/ Hijet e së vërtetës, kush është gruaja e dyshuar si nëna biologjike e Erionit

Prej vegjëlisë, Erioni ka dëgjuar fjalë se nuk ishte djali biologjik i familjes. Në moshën 18-vjeçare, teksa shkoi të merrte një certifikatë në gjendjen civile, mësoi se fjalët ishin të vërteta dhe prindërit e tij biologjikë s’ishin ata që kishte menduar deri në atë moment.

Vetëm shtatorin e shkuar, pasi më në fund nëna birësuese u bind, Erioni kërkoi ndihmën e “Ka Një Mesazh Për Ty” për të gjetur rrënjët e tij. Ai gjendet në zyrën e moderatorit të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas ku ka treguar këtë histori dhe pret një përgjigje.

Sipas shpjegimit të moderatorit, marrja e saj nuk do të jetë kaq e thjeshtë. Me të dhënat që kanë, gruaja me emrin Lutfije Dema që mendohet se është nëna e Erionit, është gjetur, por ajo thotë se nuk ka sjellë në jetë një djalë në vitin 1979.

Ardit Gjebrea: Ne kemi kërkuar, Bernardi, gazetari ynë dhe ti e di kur Bernardi kërkon, gjen dhe çfarë ka gjetur? Znj. Lutfije Dema ne e kemi gjetur, ka lindur më 23 qershor të vitit 1952. Ajo jeton në një qendër sociale për momentin, ajo ka fëmijë binjakë, kanë lindur në vitin 1988, por thotë që unë nuk kam lindur një djalë në vitin 1979, por me këtë emër dhe me të gjitha përshkrimet ne na çon rruga te kjo zonjë.  Tani, është pak e çuditshme, nuk mund të them asgjë dhe këtë gjë e zgjidh vetëm një analizë ADN-je, nëse ti do të ishe i gatshëm që ta bëje.

Erion: Po, e bëj, patjetër.

Ardit Gjebrea: Pasi të bëjmë analizën e ADN-së bashkë, unë do të shkoj në qendrën sociale, ta takoj vetë zonjën, të flas me të, do të isha shumë i lumtur nëse ajo do të pranonte për të hequr merakun ty dhe tonin, sigurisht dhe për të parë çfarë ka ndodhur se është shumë e çuditshme që neve çdo gjë na çon atje, por ajo thotë jo, në ’79-ën unë s’kam lindur ndonjë djalë.

Pas dakordësimit të Erionit, në zyrë hyn Retina, një eksperte e “Forensic Center Albania” për të marrë kampionin e tij të ADN-së.

Humbi binjakët e porsalindur, Lutfija mohon të ketë sjellë në jetë Erionin

Nga zyra e Ardit Gjebreas ku mësuam rrëfimin e Erionit dhe kërkimin e tij për prindërit biologjikë, “Ka Një Mesazh Për Ty” zhvendoset në Shkozë, në qendrën sociale “Strehëza” për ta takuar Lutfije Demën.

Bashkë me moderatorin e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ndodhet edhe ekspertja biologe e “Forensic Center Albania” e cila në rast se Lutfija do të jetë dakord, do të marrë kampionin e saj të ADN-së për të bërë krahasimin me Erionin.

Në bisedën me Ardit Gjebrean, Lutfija nis të tregojë për jetën e saj. Ajo ka punuar si shitëse metrazhi në vitin 1969, më pas e larguan nga puna se i ati ishte me dokumenta kosovare dhe jetonte në Turqi. Punoi gjithashtu në Frigoriferin e Mishit dhe doli në pension, ndërsa i shoqi ka ndërruar jetë për shkak të Covid-19.

Prej një viti, Lutfija është vendosur në këtë qendër sociale. Ajo është nënë binjakësh, djalë  e vajzë të cilët jetojnë në Itali. Lutfija ka humbur binjakët e lindur në vitin 1988, por thotë se nuk ka sjellë kurrë në jetë një djalë në vitin 1979 që përkon me ditëlindjen e  Erionit.

Ardit Gjebrea: Ti ke pasur edhe fëmijë të tjerë më duket…

Lutfije: Dy binjakët më lindën dhe më vdiqën në maternitet. U ra rubeola, i linda dhe atë ditë që do të dilja nga materniteti, më thanë “fëmijët nuk të rrojnë, të rroni vetë”.

Ardit Gjebrea: E kuptova. Ty nuk të kujtohet nëse në vitin 1979 ke lindur një djalë?

Lutfije: Jo.

Ardit Gjebrea: Si e ke pasur ti mbiemrin e vajzërisë?

Lutfije: Dema.

Ardit Gjebrea: Sepse është një çun me emrin Erion i cili ka lindur në mes të majit 1979 dhe pastaj, për shkaqe që nuk i dimë ka qenë në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë. Ti e ke emrin?

Lutfije: Lutfije. Shkurt më thërrasin Lili.

Ardit Gjebrea: Okej, ti je Lili, por aty në dokumente është emri Lutfije Dema. Ky thotë mos ndoshta Lili është mami im?

Lutfije: S’kam njohuri. Po të ishte ashtu, ai do të ishte gjallë.

Ardit Gjebrea: Po ai gjallë është.

Lutfije: Në rregull, por nuk bëhet ajo se s’kemi pasur ndonjë shenjë tjetër neve që të lindnim prapë fëmijë.

Ardit Gjebrea: Unë do të të lutem për një gjë: që ne t’ia heqim merakun Erionit, ta bëjmë një analizë ADN-je, thjesht pështymën nga goja ta marrim?

Lutfije: Shumë mirë.

Ardit Gjebrea: Nuk ke kundërshtim?

Lutfije: Jo.

Ardit Gjebrea: Fantastike! Sepse ai është në merak dhe thotë ta heq këtë merak kështu që ne e bëjmë thjesht t’i heqim merakun Erionit, mirë?

Lutfije: Dakord.

Me miratimin e Lutfijes, hyn ekspertja për të marrë kampionin biologjik për kryerjen e analizës së ADN-së që kjo histori të marrë një përgjigje.

“Kopje!” Publiku i bindur se janë nënë e bir, Erioni dhe Lutfija shihen për herë të parë

Pas marrjes së kampionëve respektivë të ADN-së së Erionit dhe Lutfijes, gruas që mendohet se është nëna e tij biologjike, ka ardhur dita që të dy të përballen në “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Erioni hyn shumë i emocionuar në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan dhe tregon se sapo ia ka rrëfyer edhe të birit historinë. Sot në program është e panishme edhe bashkëshortja, Rehana.

Lutfija vazhdon të jetë e sigurt që në vitin 1979 nuk ka lindur fëmijë, veç binjakëve që erdhën në jetë më 1988 dhe humbën jetën nga rubeola ditën kur ajo do të linte maternitetin. Ende pa u hapur ekrani, publiku dhe Rehana janë të bindur se mes Erionit dhe Lutfijes ka ngjashmëri fizike.

Ardit Gjebrea: Po ju shoh të dyve për ngjashmërinë, si mendon publiku, ngjajnë?

Publiku: Ngjajnë!

Ardit Gjebrea: Po zonja çfarë thotë?

Rehana: Kopje!

Ardit Gjebrea: Kopje? Pjesa, hunda, kopje! Të gjithë thonë që Erioni të ngjan!

Lutfije: Po mirë. Ashtu e lëmë.

Ardit Gjebrea: Në vitin 1979 ti nuk ke lindur një djalë?

Lutfije: Jo, nuk kam lindur. Mos është ngatërruar me ndonjë tjetër?

Ardit Gjebrea: Ta shohim Erionin?

Lutfije: Po.

Ardit Gjebrea: Ta shohim Lutfijen?

Erion:Po.

Ekranet përpara tyre hapen dhe Lutfija e Erioni shohin njëri-tjetrin për herë të parë. Duket sikur koha ngrin në vend derisa Gjebrea thyen heshtjen.

Ardit Gjebrea: Lutfije?

Lutfije: Urdhëro!

Ardit Gjebrea: Çfarë ndien?

Lutfije: Hiç asgjë.

Ardit Gjebrea: Nuk mendon që të ngjan?

Lutfije: Jo, nuk mendoj.

Ardit Gjebrea: Nuk mendon që të ngjan.

Lutfije: Jo, jo.

Ardit Gjebrea: Po ti Erion?

Erion:Mua më duket sikur ngjan, nuk e di.

Për të hedhur dritë mbi këto pikëpyetje, Gjebrea njofton ardhjen e ekspertëve të “Forensic Center Albania” të cilët do të lexojnë përgjigjen e ADN-së.

“S’më duket djali im…”/ ADN-ja e konfirmon, Erioni përqafon nënën biologjike pas 46 vitesh!

Është momenti i së vërtetës. Pas 46 viteve, Erioni më në fund do të mësojë nëse emri i gruas në certifikatën e tij të lindjes është vërtet nëna e tij biologjike. Ai e kërkoi ndihmën e “Ka Një Mesazh Për Ty” për të zbuluar rrënjët e vërteta të identitetit.

Lutfija, edhe gjatë takimit fillestar me moderatorin e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, por edhe në studio ku e pa Erionin nga ekrani, është e bindur se ajo nuk ka sjellë në jetë një djalë në vitin 1979. E vetmja përgjigje e pakundërshtueshme është ADN-ja. 

Ekspertët e “Forensic Center Albania” kanë mbërritur në studio me rezultatin e provës gjenetike.

“Nga krahasimi i profileve gjenetike të znj. Lutfije Shkëmbi dhe z. Erion Dehari, dalim në përfundimin se ata paraqesin lidhjen gjenetike nënë-bir”, thuhet në përgjigjen e ADN-së.

Lutfija ngrihet në këmbë.

Ardit Gjebrea: Erion, u ngrit në këmbë mami! Nëna që të ka lindur! Shko përqafoje! Pas 46 vitesh!

Erioni nuk humbet asnjë sekondë, por shkon menjëherë të përqafojë nënën e tij biologjike. Lutfija vijon të jetë e shtangur, por i hap krahët të birit dhe e mirëpret në familje.

Ardit Gjebrea: Erion?

Erion: Jam i lumtur tani!

Ardit Gjebrea: Është çuni yt.

Lutfije: Po pra! Mua nuk më duket se është djali im, por megjithatë unë e pranoj dhe them që në familje të vijë.

Ardit Gjebrea: Të vijë në familje.

Lutfije: Po.

Ardit Gjebrea: Në këto momente që ne flasim dhe në këto momente që ti e shikon, që e ke afër, që analiza tregoi që është djali yt, të vjen ndonjë kujtim, do të thuash ndonjë gjë?

Lutfije: Jo.

Ardit Gjebrea: Nuk do të thuash?

Lutfije: Jo, nuk kam.

Ardit Gjebrea: Ah, nuk ke? Por në momentin që analiza e tregon që është djali yt…

Lutfije: Si është e mundur?

Ardit Gjebrea: Këtë do të doja ta dija nga  ti.

Lutfije: Nga mua…unë linda dy fëmijë binjakë dhe ato të dy më vdiqën. Qe periudha që ra rubeola, bëmë  një varrim dhe sot janë në varreza të dy.

Ardit Gjebrea: Pra ti i ke parë  fëmijët e vdekur?

Lutfije: Po, i kam parë.

Ardit Gjebrea: Në cilin vit, e mban mend apo jo?

Lutfije: Jo.

Ardit Gjebrea: Në çfarë viti je martuar ti, të kujtohet?

Lutfije: S’kam bërë dasmë.

Ardit Gjebrea: Je rrëmbyer? Me dashuri?

Lutfije: Po.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ke qenë?

Lutfije: Mbi 20.

Ardit Gjebrea: Ti ditëlindjen e ke kur?

Lutfije: Më 23 qershor 1952.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë që Erioni ka lindur në vitin 1978. Që i bie që të kesh qenë 28 vjeç.

Lutfije: Përafërsisht.

Ardit Gjebrea: Atëherë nëse historia është kështu…

Lutfije: Kështu është dhe s’e luan…

Ardit Gjebrea: Topi.

Lutfije: Po.

Ardit Gjebrea: Në certifikatën e lindjes që kemi ne, të Erionit, është emri yt, mbiemri, mbiemri i vajzërisë.  Si e ke mbiemrin e vajzërisë?

Lutfije: Dema.

Ardit Gjebrea: Pra është Lutfije Dema. Dhe emri i babait të Erionit është imagjinar, është shkruar Agron.  Si quhej bashkëshorti juaj?

Lutfije: Shefki Shkëmbi.

Ardit Gjebrea: Erion, e gjetët njëri-tjetrin.

Erion: Faleminderit emisionit! Faleminderit juve z. Ardit, faleminderit të gjithëve si staf, Bernardit, faleminderit shumë!

Pas shkrepjes së një fotografie, Lutfija njihet edhe me Rehanën, bashkëshorten e Erionit dhe mëson se është edhe gjyshe. Më pas, familja lë studion.

Dyshime, dilema dhe hipoteza… ‘Brenda’ trurit të Lutfijes, nënës që nuk kujton të ketë lindur një fëmijë

Historia e Erionit që kërkon nënën e tij  biologjike dhe Lutfijes, e cila nuk mban mend të ketë sjellë në jetë një djalë në vitin 1979, por analiza e ADN-së provoi lidhjen e tyre gjenetike, është e pazakontë.

Edhe pse thoshte se nuk e mbante mend lindjen e tij, si provë e pakundërshtueshme, ADN-ja përcaktoi se Erioni dhe Lutfija janë nënë e bir. Ajo e pranoi djalin dhe të shoqëruar nga Rehana, bashkëshortja e tij, janë larguar tashmë nga studioja e “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Për të hedhur dritë mbi dyshimet dhe dilemat e këtij rasti, moderatori i programit “E Diela  Shqiptare” në Tv Klan fton shkrimtaren dhe neurologen Brunilda Zllami. Ajo e vendos historinë në kontekstin mjekësor për të na bërë të kuptojmë çfarë ndodh me një nënë që nuk mban mend të ketë sjellë në jetë  një fëmijë.

Brunilda Zllami: Ka disa gjëra që vërtet të bëjnë përshtypje përveç anës emocionale që krijonte kjo histori, padyshim. Në lidhje me disa mospërputhje në rrëfime, por në kontekstin tuaj që investigoni më gjerë, ju i shikoni si mospërputhje kohore për të vendosur të dhënat në vendin e duhur. Në kontekstin mjekësor, mund të jenë të dhëna të një diçkaje më shumë, pavarësisht se absolutisht nuk mund të flitet pa parë pacientin, pa marrë të dhëna nga familja, pa marrë të dhënat nga të gjithë që e rrethojnë, por janë disa gjëra të dyshimta që të lindin mendimin mos fshihet ndonjë patologji qoftë neurologjike apo qoftë e natyrës psikologjike në këtë mes.

Edhe gjatë momenteve në studio, Lutfija u pyet nëse e kuptonte se çfarë është analiza e ADN-së dhe u shpreh se e dinte që tregon lidhje gjaku ose jo. Ajo pranoi që në fillim për ta kryer, pavarësisht ishte e bindur që nuk kishte lindur një djalë në vitin 1979. Kjo rrëzon pistën se mund të donte ta fshihte këtë ngjarje qëllimisht, por sipas shpjegimit të mjekes, një hipotezë është që truri i saj ta ketë fshirë në mënyrë të pavullnetshme.

Brunilda Zllami: Kuptohet, në rast se personi ka çrregullime fillestare të kujtesës, në momente të tilla stresi se kjo ka qenë një situatë që ka induktuar stres, padyshim, mund të bëjë një sjellje e cila nuk është krejt racionale. Pra unë e dëgjoja që thoshte e pranoj, por që nuk mbante mend një event aq të rëndësishëm sepse lindja e një fëmije nuk është një moment, pra ka një histori paraardhëse, ka një kohë të gjatë konceptimi, mbajtje në barkun e nënës dhe është vetë procesi i lindjes dhe kuptohet vetë lidhja e nënës me fëmijën është një lidhje deri diku mistike, është më e fuqishmja në botë. Nëse faza fillestare e  kësaj gruaje që nuk mban mend ta ketë lindur këtë fëmijë dhe në disa kontekste të të folurit fliste bindshëm për këtë, mund të jetë edhe e pavullnetshme nga ana e saj si një fshirje e këtij momenti. Ka njerëz që përjetojnë trauma të rëndësishme, kryesisht psikologjike, por edhe fizike ose të dyja bashkë në të cilën truri, si një organ që ka detyrë ta bmrojë njeriun, jo vetëm të depozitojë kujtime, por edhe të fshehë kujtime të dhimbshme, e kapsulon këtë kujtim të trishtë jashtë koshiencës dhe ka persona që nuk mbajnë mend eventin. Kjo është një hipotezë sepse zakonisht flitet për evente të shkurtra, trauma të shkurtra, jo i tërë ky event kaq i madh e megjithatë mendja po kështu është e mistershme në mënyrën si ajo vepron. Për sa u përket çrregullimeve të tjera në mënyrën që mund të konsiderohen si faza të ndonjë  çrregullimi konjtiiv, konjitiv është i njohjes domethënë, madhor, mund të kemi një dyshim se, mund, gjithmonë them mund, mund të ketë filluar një çrregullim i kujtesës pavarësisht se fjalinë e kishte të ruajtur, domethënë emocionin e kishte të ruajtur në kontekstin e përgjigjeve, shkathtësisë, por gjërat ndonjëherë fillojnë në mënyrë incidioze dhe kulmojnë në periudha të cilat mund të konsiderohen edhe periudha të tilla stresi.

Neurologia shpjegon se ligji i kujtesës vepron si një magazinë e madhe ku kujtimet e vjetra ndodhen në fund dhe ka gjithnjë vend për të reja. Në rastin e Lutfijes, hipoteza që ngrihet është se truri mund të   mos ketë pranuar më kujtime të reja. Ajo gjithashtu përmendi se kishte pësuar një aksident dhe ishte goditur nga një makinë dhe sipas Zllamit, edhe traumat  fizike mund të prekin kujtesën.

Mjekja rendit të gjithë faktorët që mund të shkaktojnë çrregullim të kujtesës dhe çfarë mund ta shtyjë Lutfijen për të qenë e bindur se nuk ka sjellë në jetë një fëmijë.

Brunilda Zllami: Në këtë fazë, në rast se zonja vërtet nuk e mban mend dhe mund të jetë që nuk e e mban mend, ka ndikuar një stres i madh i kësaj situate që truri për të mbrojtur veten, e ka fshirë këtë kujtim. Megjithatë, kjo është një hipotezë.

Ardit Gjebrea: Është një hipotezë sepse shkojmë në deduksionin që pas analizave të ADN-së që vërtetohet që janë nënë e bir, nuk mund të ketë më kundërshti për këtë gjë.

Brunilda Zllami: Por ka edhe gjëra të tjera që ndodhin gjatë jetës. Kur flasim për çrregullime të kujtesës, të gjithë mendojnë skleroza. Po, është hipoteza, është çrregullimi i kujtesës më i njohur. Çrregullimi i kujtesës mund të vijë nga shumë gjëra, mund të vijë nga goditje, trauma të kokës, mund të vijë nga sëmundje të ndryshme që prekin sistemet, sëmundje metabolike,mund të vijë nga intoksikacioni, mund të vijë nga përdorimi i ilaçeve, por mund të vijë edhe nga të gjithë çrregullimet e shëndetit mendor. Qoftë  edhe një depresion mund ta imitojë sklerozën sepse një njeri me depresion nuk ka afeksion për momentin, nuk percepton gjërat e reja, nuk ka qejf të komunikojë, edhe një ankth mund ta imitojë, por ankthi është më i dukshëm edhe në pamje. Gjykimet nëse pacientja, zonja ka ndonjë shqetësim të anës psikologjike apo psikiatrike…

Ardit Gjebrea: Askush nuk ka dhënë ndonjë indikacion që të ketë.Brunilda Zllami:A është ndonjë mënyrë e vullnetshme për të mbrojtur jetën e saj, atë që ndërtoi, atë që zgjodhi me dashje apo pa dashje, për të mbrojtur emrin, dinjitetin, moralin, fëmijët apo bashkëshortin, domethënë ne si qenie njerëzore, bukuria jonë është që jemi të ndërvarur nga të tjerët dhe një pjesë e dashurisë që tregojmë është pikërisht edhe përkujdesja për të tjerët, pra për të gjithë ata që i  konsiderojmë të afërt. Kështu që nuk mund ta thuash për momentin, por mbi të gjitha, duhet vlerësuar dhe aftësia,

kapaciteti mendor për të kuptuar të gjithë elementët që janë servirur, pra e  kupton vërtet që ADN-ja është një ekzaminim i cili jep një vendim të plotë dhe përfundimtar?

Ardit Gjebrea: Qartë.Brunilda Zllami:Se të thuash një gjë dhe ta dëgjosh një gjë e ta kuptosh një gjë janë gjëra të cilat  mund të jenë pjesë e një zinxhiri, por mund të jenë edhe të shkëputura nga patologji e gjendje emocionale të ndryshme që ne kemi

/tvklan.al