#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#arditgjebrea# miqesi #dashuri #mesazh #Valmira #kujtim #Itali #shoqe #veshtiresi #humbje #femije #shprese #jete #unaze

“Shkuam për ‘in vitro’, donim të shisnim shtëpinë”, dhurata e papritur e mëmësisë

Rrëfimi i Valmirës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nis me sfidën për t’u bërë nënë. Ajo tregon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se pas 8 viteve martesë, fëmija nuk po vinte ende. Në këto rrethana, u konsultuan për metodën e fertilizimit artificial por mjekët i dhanë fare pak shpresë.

Edhe pse bashkëshorti ishte gati që të sakrifikonin sa të shisnin edhe shtëpinë për të përballuar shpenzimet, Valmira nuk pranoi. Pikërisht në momentin që nisën procedurat për të birësuar një fëmijë, erdhi një lajm i lumtur.

Valmira: Unë kisha bërë shumë përpjekje për të pasur një fëmijë pas 8 viteve martesë dhe të gjithë aty në lagje e dinin punën time.

Ardit Gjebrea: Po pse duhet ta dinin të gjithë në lagje?

Valmira: Kisha shumë vite që unë kërkoja për një fëmijë. Kisha bërë të pamundurën dhe m’i kishin prerë të gjitha shpresat.

Ardit Gjebrea: Çfarë kishe bërë meqë thua kisha bërë të pamundurën?

Valmira: Vizita pafund, vajta për “in vitro” dhe ato më dhanë shumë pak shpresa, 35% dhe im shoq ishte pro, por unë kundër.

Ardit Gjebrea: Pro në ç’kuptim?

Valmira: Që donte ta bënte këtë gjë.

Ardit Gjebrea: Me “in vitro”?

Valmira: Po. Unë nuk pranova, thashë jo. Jo vetëm për koston, por ngaqë mua më dhanë shumë pak përqind.

Ardit Gjebrea: Po, 35% është shumë pak.

Valmira: Donim të arrinim në atë pikë që të shisnim edhe shtëpinë për të arritur këtë gjë dhe unë thashë jo sepse kishte ditë, kishte muaj që kishim ngelur edhe pa bukë në shtëpi duke u marrë me shumë shpenzime për të ardhur në jetë një fëmijë dhe pa rezultat.

Ardit Gjebrea: Të shisje shtëpinë?

Valmira: Po. Një ditë vendosëm të shkonim në jetimore të dy për të birësuar një fëmijë. Në proces e sipër të dokumenteve unë marr vesh që isha shtatzënë. Ishte diçka komplet e papritur. Çdo gjë është e lidhur me trurin. Në momentin që unë qetësova trurin që ne do të bëjmë këtë hap, Zoti më bekoi me një djalë.

Ardit Gjebrea: Më shuaj një kureshtje. E kishit gjetur edhe fëmijën se kë do të merrnit?

Valmira: Jo, mua kjo pak a shumë më vret më shumë sepse mua më duket sikur një fëmijë tjetër e kam lënë atje, nuk e kam marrë.

Ardit Gjebrea: Por nuk e kishit përcaktuar fëmijën?

Valmira: Jo, akoma.

Valmira sot është nënë e një djali, 10 vjeç dhe një vajze, 2 vjeçe.

“Vajza tjetër” e shtëpisë i lehtësoi humbjen e dhimbshme, Valmira: I donte prindërit e mi si të sajët

Vitet e përpjekjeve të Valmirës për t’u bërë nënë kulmuan me ardhjen në jetë të një djali dhe më pas të  një vajze. Ardhja e fëmijëve nuk i solli vetëm gëzimin e mëmësisë, por edhe të miqësisë së vërtetë me Alketën.

Valmira tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se njiheshin pasi banojnë në të njëjtën lagje dhe bashkëshortët  e tyre janë shokë, por ato s’kishin një raport të ngushtë. Më pas fëmijët i afruan gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën dhe kohërat e vështira kanë dëshmuar miqësinë e tyre.

Valmira: Para 9 muajsh mua më ndërroi jetë babai në një mënyrë komplet… që s’e prisnim. Alketa ka qenë aty për mua në çdo moment të vështirë, në radhë të parë duke më mbajtur fëmijët që “ti mos e  mbaj mendjen këtej” dhe më çonte foto e video gjithë kohës, gjente momentin që vajzën e vendoste në gjumë dhe e shikoja përsëri te koka ime, te shtëpia e prindërve të mi. Këtë gjë ajo e ka bërë edhe kur babai im ishte gjallë, unë nuk dija asgjë, kjo thjesht shkonte te prindërit e mi sikur të ishin prindërit e saj. Babai gjithmonë thoshte “më erdhi edhe vajza tjetër”. Ajo m’i ka dashur dhe m’i ka respektuar sikur t’i kishte prindërit e saj. Unë asaj i jam falënderuese përgjithmonë.

“Nuk do ia falja!” Alketa s’e pret aspak mirë ‘surprizën’ e shoqes

Valmira dhe Alketa janë dy mikesha që te njëra-tjetra kanë gjetur një motër. Valmira ndau në “Ka Një Mesazh Për Ty” momentet e vështira që Alketa i është  gjendur pranë, por tani para tyre ka një tjetër sfidë: miqësi në distancë. Valmira do të largohet në Itali bashkë me familjen dhe lajmi ka qenë i vështirë për Alketën që mendon se do të mbetet vetëm.

Ardit Gjebrea, moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, vendos të bëjë pak shaka me Alketën e emocionuar dhe ‘t’i ngrijë’ gjakun duke i thënë se mikja e saj largohet të nesërmen. Alketa preket dhe thotë se nëse kjo është e vërtetë, nuk do ia falte kurrë Valmirës.

Ardit Gjebrea: Valmira sot ka ardhur me valixhet me vete…

Alketa: Ka marrë shumë të tjerë.

Ardit Gjebrea: Jo, për të të thënë që nesër niset për në Itali por donte të ta thoshte sot këtu.

Alketa: Mos ma bëj këtë! Jo! Jam çdo ditë me të!

Ardit Gjebrea: Në fakt, donte të ta bënte surprizë, të të linte këtë kujtim dhe nesër niset.

Alketa: Nuk do ia falja!

Ardit Gjebrea: Ti e di që ajo do të ikë në Itali apo jo?

Alketa: E di.

Ardit Gjebrea: Do të vijë një moment që do të ikë, e ka shumë të vështirë të ta thotë dhe…

Alketa: Ia kam uruar që kudo të shkosh të të ecë mbarë, por jo që të ma thoshte sot për nesër.

Ardit Gjebrea: Po se ashtu do të rrije gjatë, obobo kjo datë, më mirë ashtu, nesër iki…

Alketa: E takoj çdo ditë, nuk e besoj.

Ardit Gjebrea: Nuk e beson?

Alketa: Jo.

Ardit Gjebrea: E ke biletën me vete, se ka marrë  edhe biletën? Valmira pohon.

Alketa: Bëj shaka, i ke edhe ca ditë, i ke!

“E pazëvendësueshme!” Dhimbja e largimit përlot shoqet, premtimi i miqësisë së vërtetë

Parashikimi i Alketës se në anën tjetër të murit në “Ka Një Mesazh Për Ty” e priste Valmira, nuk gaboi. Miqësia e tyre karakterizohet nga një lidhje e fortë që është provuar në momente të bukura e të vështira që gjithnjë i kanë ndarë bashkë. Tani të dyja gjenden në një tjetër sprovë sepse daljet e tyre të përditshme nuk do të vazhdojnë pas largimit të Valmirës dhe familjes së saj në Itali.

Të gjitha këto motive e shtynë Valmirën ta surprizonte në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për t’i thënë një falënderim nga zemra dhe një premtim që mund ta bëjë një shoqe e vërtetë.

Valmira: Mikja ime! Motra ime! Shoqe po të them në fund. Sot kam ardhur për të thënë që edhe pse unë  do të largohem, ti do të jesh gjithmonë kjo që je sot. Unë thjesht do të iki me trup, por me mendje dhe zemër kurrë.

Alketa: E di.

Valmira: Ti ke qenë gjithmonë në krahun tim, në të mirë e në të keq. Në situata të vështira që unë kam kaluar para 9 muajsh, ti më je gjendur pranë, nga humbja e babait. Nuk kam fjalë të ta përshkruaj çdo gjë që ti ke bërë për mua, por sot kam dalë jashtë natyrës sime që unë jam për të të dhënë këtë mesazh.

Alketa: E di që është tip që më bën të tilla surpriza dhe kam marrë gjëra të bukura nga kjo vajzë gjithmonë, por deri këtu…

Ardit Gjebrea: Nuk e prisje.

Alketa: E prisja, ishte një ndër tre personat që dyshoja, por prapë duke menduar që është e ngarkuar, jo të më sillte deri këtu.

Alketa përshkruan si e sheh ajo Valmirën, por edhe përjetimin për largimin e saj.

Alketa: Kam shumë kujtime të bukura me këtë vajzë. Gjëra të bukura pafund, kemi gjetur mbështetjen te  njëra-tjetra, edhe në momente që kemi qenë vërtet vështirë i jemi gjendur njëra-tjetrës, ashtu si në ditët tona edhe të mira, edhe të këqija, i kemi kaluar po bashkë. Pastaj kemi edhe nga këto çmendurirat tona pafund që do të mbeten gjithmonë në kujtesë. Nuk kam fjalë. Edhe unë e kam shumë të afërt.

Ardit Gjebrea: Është shumë bukur të shohësh dy mikesha që bëjnë kaq shumë për njëra-tjetrën, që preken dhe vjen një moment që duhet të ndahen. Si e ke përjetuar këtë moment?

Alketa: Në fillim kur më tha, unë të uroj i thashë kudo që të shkosh, por në vetvete thashë që unë nuk dua që ty mos të të ecë, por edhe në shtëpi më thoshin fëmijët “mami, ku do të gjesh shoqe tjetër?” Nuk ka. Bashkëshorti, “çfarë do të bësh po të iku?” Nuk ka tjetër. Nuk e zëvendësoj dot me asnjë.

/tvklan.al