#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim

#tvklan #edielashqiptare #arditgjebrea #fluturaacka #rezartareci #biri #miqesi #mirenjohje #personazhe #dashuri #kulture #art #semundje

Telefonata e papritur që zuri në befasi Ardit Gjebrean, deputetja bëhet pjesë e “Ka Një Mesazh Për Ty”

“Para disa ditësh, marr një telefonatë nga një mikeshë shumë e dashur për mua dhe mbi të gjitha, një personalitet të cilën e vlerësoj shumë dhe mendova që do të pinim një kafe nga ato që mezi i pres, por jo.  Më tha do të dëshiroja të vija te ‘Ka Një Mesazh Për Ty’. U çudita të them të vërtetën jo se ne këtu kemi kufizime, por ajo duke qenë një personazh publik, vendosi që të marrë shpirtin me vete, të vijë këtu dhe të lërë petkun e deputetes, të politikanes, të shkrimtares, të botueses, të poeteshës dhe unë kam librin ‘Biri’ në dorë të cilin e mora thjesht për t’i thënë sa shumë e dua dhe sa shumë e vlerësoj”.

Kështu e nisi moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, prezantimin e të  ftuarës së parë në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”. Një telefonatë e papritur nga një personalitet i shquar me kërkesën për të qenë pjesë e emocioneve të shtëpisë së të gjithëve të pranishëm në studio e që ndjekin përtej saj.Të gjitha hamendësimet u njësuan me zbulimin e librit që ai mban në dorë, i shkruar nga Flutura Açka përpara se ta thërriste emrin e saj edhe për publikun.

Ajo nuk vjen si një politikane këtë herë, por “zbret te njerëzorja” siç shprehet edhe vetë, një emocion për të cilin e merr shpesh malli në politikë por që e ndien më fort se gjithçka tjetër.

Ardit Gjebrea: Jam shumë i lumtur që jemi bashkë në program dhe e di që ky do të jetë një mesazh shumë i rëndësishëm, ndoshta jo vetëm shpirtëror, por ndoshta edhe për të gjithë ata që janë si ju, në politikën e vendit. Për një moment, të kujtojnë se sa vlera të tjera ka përtej derës së parlamentit apo partisë që ju përfaqësoni.

Flutura Açka: Shpeshherë kemi nevojë për emocione të forta, emocione njerëzore, kështu që më vjen mirë që zbrita te kjo gjë njerëzore për të cilën ndonjëherë më merr shumë malli në politikë, pra më shumë jam shkrimtare, njeri, grua, nënë në këtë pozicion se politikane, megjithëse atë përqindje nuk e zhvesh dot.

Ardit Gjebrea: Jo ne nuk duam, përkundrazi në momentin që e vishni bukur, madje ta vishni sa më shumë sepse ne kemi nevojë për politikanë të cilët nuk harrojnë asnjëherë shpirtin dhe atë të vërtetën që kanë brenda, në shërbim gjithmonë të njerëzve kështu që unë për këtë vërtet ju adhuroj.

“Një qiri që digjet për ty”/ Miqësia që ndan dhimbjen, 25 vitet e Flutura Açkës dhe Rezarta Reçit

Është politikane, shkrimtare, poete por sot në “Ka Një Mesazh Për Ty” Flutura Açka i ka lënë të gjitha këto profesione për të shfaqur mikeshën brenda saj. Njeriu që ajo ka zgjedhur të surprizojë në rubrikën e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është po ashtu një personazh publik, por për të është mikja e më shumë se 25 viteve.

Flutura Açka e njeh Rezarta Reçin në të gjitha dimensionet e saj: si një gazetare që vesh me njerëzi të ftuarit, si një profesioniste që ka kontribuar në kujtesën kulturore dhe si një mike, një prani që mendon gjithnjë për të kur ajo harron të kujtohet për veten.

Shkrimtarja ndalet edhe te një episod nga udhëtimet e “grupit turistik” siç e quan ajo që përbëhej nga Flutura, djali i saj dhe Rezarta. Tani janë të dyja dhe udhëtimet nuk janë më njësoj pa të tretin. Përtej dhimbjes e sfidës së saj, Rezarta nuk ankohet e për Fluturën, ky është virtyt i rrallë.

Flutura Açka: Sot kam ftuar një mikeshë. E kam fjalën për gazetaren Rezarta Reçi. Është një vajzë që e njeh edhe publiku, që e njeh ekrani, por edhe e ka dashuruar ekrani. Jo kushdo që hyn tek ekrani është një fytyrë gjithmonë e dashur. Rezarta gjithmonë e ka rrethuar personazhin të cilin ka ftuar, personazhin të cilit i ka kushtuar minutat, e ka rrethuar me një gjë shumë njerëzore. Për këtë gjë njerëzore kam dashur t’i them ‘faleminderit’, por edhe për miqësinë e gjatë mbi 25-vjeçare me të, por një miqësi e zakonshme, por një miqësi që nuk ka atë përditshmërinë e telefonatave, ndonjëherë edhe të bezdisura, të cilat i mbush me “ç’kemi, si kalove”, por një gjë që është në kufijtë e një qiriu që digjet për ty. Do të thotë, në çdo moment që t’i biesh telefonit, nëse është aty për ty, qoftë edhe një prani, ti e di që ka një prani në kufijtë e kozmikes duke menduar mirë gjithmonë për ty. Këtë vit bëhen 20 vite nga programi i saj më i rëndësishëm “Arratia e peshkut të kuq” ku ajo mori personazhe dhe ajo që më gëzon është fakti  që në kujtesën e televizioneve shqiptare, s’ka rëndësi cili televizion, është kujtesa jonë, kujtesa jonë kulturore.

Ardit Gjebrea: Kjo është e vërtetë.

Flutura Açka: Janë personazhe të cilët tani nuk janë, nuk ekzistojnë, kanë ikur por ata janë në memorien tonë.

Ardit Gjebrea: Çfarë natyre ka Rezarta, ajo vetë, si njeri?

Flutura Açka: Rezarta prandaj është ndër modelet e mia njerëzore, si mikeshë.

Ardit Gjebrea: Vërtet? Më fal Flutura, është shumë e rëndësishme të dëgjosh, të dalë prej teje që është një nga modelet e mia njerëzore sepse ju vetë jeni model për të tjerët, më beso për këtë.

Flutura Açka: Nuk e di, por para Rezartës unë prapë kam një lloj përkorje shumë të madhe dhe jam shumë modeste në këtë pikë sepse ndoshta edhe prej ngarkesës, ndoshta edhe natyra, duhet ta pranoj  që nuk e kam këtë pjesë kujdesi, quaje përkujdesje njerëzore. Rezarta nuk harron në fillimjavë të thotë “javë e mbarë”, nuk harron ditëlindje, unë harroj ditëlindjet e mia, Rezarta nuk harron. Ne kemi pasur bashkë me Rezartën, e quanim grupi turistik bashkë me tim bir, të tre dhe kemi bërë udhëtime shumë të bukura. Kur njëri nga anëtarët e grupit turistik na braktisi, iku na la vetëm, edhe në njëfarë mënyre udhëtimet tona të bukura sikur u fikën. Bëmë një udhtim të fundit në Bruksel, në Bruzh, sidomos në Bruzh kemi pasur emocione të forta dhe e kuptuam që nuk e përballonim dot më mungesën e anëtarit të tretë  të grupit tonë turistik. E keni parasysh, Rezarta e ka bërë edhe publike vetë, vitet e fundit është në një proces të vështirë për shkak të një sëmundjeje të vështirë dhe një nga gjërat që kam dashur t’i them që edhe ky modeli yt njerëzor në këto ditë të vështira tuat, ka dhënë, ka emetuar emocion te të tjerët, ka dhënë atë mesazhin e thjeshtë që sigurisht kjo është një barrë personale por duhet ndarë me të tjerët deri në kufijtë e mosbarrësimit të tjetrit. Kurrë nuk ankohet. Ku të gjejmë njerëz që nuk ankohen dhe na dëgjojnë ne kur ankohemi?

Miqësia që i reziston sprovës së kohës, Flutura Açka i kërkon ndjesë Rezarta Reçit

25 vjet janë mjaftueshëm për të nënkuptuar një miqësi të përjetshme, të pastër, të ndërtuar mbi themelet njerëzore të palëkundshme nga koha e sprovat. Në rrëfimin e saj për Rezarta Reçin  në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Flutura Açka nuk u ndal vetëm te koha e tyre së bashku, por edhe te veçantitë që e  përbëjnë gazetaren një profesioniste, një njeri që nxjerr më të mirën e të tjerëve përmes cilësive të saj dhe një grua që s’dorëzohet.

Këto ia përcjell edhe përballë ekranit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, me fjalë që i dalin lirisht nga zemra, shoqëruar me një ndjesë për kohën e munguar të tre viteve të fundit.

Flutura Açka: E dashur Rezi! Në fakt fjalët s’i kam zgjedhur, fjalët i zgjedh aty kur shkruaj librat, kur flet me zemrën, zemra nuk ka nevojë për fjalë shumë të  zgjedhura. Të falenderoj për atë që je, për  njerëzoren që më ke dhënë mua, për njerëzoren që i ke dhënë këtij rrethi miqsh të përbashkët. Ne kemi një histori të gjatë, shumë të bukur ç’është e vërteta, miqësie. Do të doja të bëja edhe një ndjesë, le të  jetë një ndjesë publike. Duket ndonjëherë kur njeriu hyn në politikë, duket sikur politika na e merr kohën dhe ma ka marrë kohën në një mënyrë të padrejtë dhe ne nuk jemi takuar aq shpesh këto tre vitet e fundit. Jo se jam e shkujdesur, por në ditëlindjet, në ngjarjet tona, nuk u jap atë kujdes të regjistrimit të axhendave, për shkak  të natyrës. Ti nuk ke harruar kurrë të kujtosh kur i kemi ditëlindjet dhe të përcjellësh emocion në momentin tonë më të vështirë. Veçmas në momentet, në vitet, në orët, në muajt që vazhdojnë sigurisht, duken pambarim, flas personale tani, ti ke qenë aty dhe ke qenë një sup ku kam pasur nevojë të qaj. Mbi të gjitha, Rezarta, ti je njeri që di të dëgjosh dhe kam kuptuar në këto tre vite të përballjes me ekranin, me politikën, rrallë e kam gjetur një njeri të dytë që të të dëgjojë. Mbi të gjitha do të doja të të falenderoja, besoj edhe në emër të shumë njerëzve të ekranit dhe televizionit  për punën e palodhur tënden dhe me shumë dashuri e dashamirësi në arkivimin e figurave që sot i mungojnë Shqipërisë fizikisht, por janë për shkak të dashurisë tënde. Më ka prekur shumë mënyra sesi e trajtoje personazhin, mënyrën si më ke trajtuar mua shumë të re, por edhe më pas, ka qenë një gjë shumë prekëse. Jam e bindur që edhe personazhe të tjerë të artit e kanë ndier këtë dorë kaq njerëzore.

“Të presësh dhe të durosh”, miqësia e Rezarta Reçit dhe Flutura Açkës fiton ‘garën’ me kohën

Për Flutura Açkën, miqësia e 25 viteve me Rezarta Reçin është një ndjesi e veçantë sepse për të ka qenë një mbështetje në ditë të vështira, një dorë njerëzore që e di mirë se njësoj si ajo, e kanë ndier edhe të tjerë, dikush që e ka dëgjuar dhe kujtuar kurdoherë.

Ajo ia shprehu të gjitha këto në “Ka Një Mesazh Për Ty”, duke mos lënë mënjanë as kontributin profesional të mikeshës së saj. Për Rezartën është një kujtim i bukur e që s’ia kishte marrë kurrë mendja se do të gjendej në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për të dëgjuar këto fjalë. Gazetarja shprehet se miqësia me Fluturën ka triumfuar edhe mbi kohën ‘e rrëmbyer’ nga politika apo viteve të gjata.

Rezarta Reçi: Një miqësi me vlerë nga e cila besoj kemi mësuar edhe njëra, edhe tjetra reciprokisht. Është një miqësi që rrallë i reziston kohës, për fat i ka rezistuar kohës dhe nuk e kam humbur Fluturën as në këto tallazet politike. Jemi parë më rrallë…

Ardit Gjebrea: Por gjithmonë ka qenë aty!

Rezarta Reçi: Po!

Ardit Gjebrea: E njëjta!

Rezarta Reçi: E njëjta, për mua e njëjta, kjo është shumë e rëndësishme për mua në një miqësi, ta kuptosh tjetrin që tani ka punë, po bën shumë punë dhe të durosh.

Ardit Gjebrea: Dhe të presësh.

Rezarta Reçi: Dhe të presësh.

Ardit Gjebrea: Se e di që ja kur vjen, shiko si vjen!

Përpara se t’i drejtohej bashkë me Ardit Gjebrean kolltukut ku është vendosur Rezarta, shkrimtarja tha: “Po të kesh një lule, ti e bën një kopsht. Po të kesh një mik e bën një botë. Unë me Rezartën e kam bërë një botë”.

Në mesazhin e fundit për Rezartën, Flutura thotë se mes miqve të mirë e të shumtë që gazetarja ka, është edhe ajo.

Flutura Açka: Rezi, unë e di që në vendin tim këtu do të ishin shumë mikesha tuat, prandaj kjo ka qenë arsyeja pse Rezarta e ka pasur të vështirë të fokusohet se cilën do të fokusojë, ka shumë mikesha. Është e vështirë në këtë botë hektike të kesh miq kaq të mirë dhe Rezarta ka. Unë jam një prej tyre! Ishte rastësi që erdha unë, por për mua Rezarta është shumë, shumë, shumë e veçantë.

“Biri” i Flutura Açkës: Tani do të shkruaja ndryshe, zija ime ka ndryshuar

Pas ndarjes së mesazheve emocionuese për njëra-tjetrën dhe përvojave që i kanë shoqëruar në 25 vite miqësi, Flutura Açka dhe Rezarta Reçi tregojnë edhe për dhimbjen që i shoqëron. Pak vite më parë, anëtari i tretë i “grupit turistik”, djali i Fluturës u nda nga jeta në moshë të re. Siç tregoi Flutura gjatë “Ka Një Mesazh Për Ty”, të dyja e përjetuan fort dhe të udhëtonin pa të nuk ishte e përballueshme.

Në fund të rubrikës, teksa moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea i dorëzon Fluturës kopjen e tij të “Birit” për një nënshkrim, ajo shprehet se sot do ta shkruante ndryshe këtë libër.

Rezarta Reçi: Kur të kesh kohë lexoje, sepse përfiton shumë jo nga dhimbja por nga rrëfimi. Është një rrëfm vërtet shumë tronditës sepse kalon nëpër një eksperiencë që… por merr për përmasat e jetës, për përmasat e vdekjes me të cilën duhet të mësohemi.

Ardit Gjebrea: Çfarë është ky libër për ty?

Flutura Açka: Shiko Ardit, në fakt po ta shkruaja tani do të shkruaja një libër tjetër. Është një Flutur e asaj kohe, jo se ka ndryshuar gjë, por do t’i shihja gjërat me një distancë tjetër. Ndoshta të mos e ngarkoja lexuesin aq, por nuk kam qenë unë, unë nuk e di kush ka qenë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Flutura Açka: Sepse është… tani ka ndryshuar zija ime. Tani është një heshtë diku thellë meje që sa herë lëviz, më kësen kur themi ne. Atëherë ka qenë një formë tjetër, nuk e di, unë isha zija që ecja, ky është ndryshimi. Në ato kushte ti sigurisht bën një gjë që s’e kupton as vetë. Tani do ta dominonte shkrimtarja nënën, atëherë ka qenë në baraspeshë. Shpresoj ka qenë në baraspeshë, ky është ndryshimi. Kemi humbur një mik të përbashkët ç’është e vërteta.

Rezarta Reçi: Jerinin, po, që na mungon por e marrim prapë me vete se kjo është fuqia, të dish ta mbartësh birin edhe në ditë të bukura, edhe në ditë të vështira dhe Jerinin do ta kujtoj më thoshte “prapë foto teta Rezi?”, po, prapë foto, “nuk u lodhe me fotot?”

/tvklan.al