#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
#arditgjebrea #tajar #xhemile #kombinat #spital # bashkeshorte #nene #humbje #dhimbje #kujdesje #mirenjohje #idhull #dashuri #
“Mbretëresha ime!” Iu gjend pranë në ditët sfilitëse, Tajari habit me fjalët për vajzën e tezes
Tajari, protagonisti i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” e nis rrëfimin në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan duke treguar pak për veten. Ai ka lindur në Përmet, ka jetuar për një kohë të gjatë në Kuçovë, u martua në vitin 1979 dhe ka një djalë e një vajzë. Për shkak të lindjeve të vështira, bashkëshortja e tij u sëmur rëndë. Në atë periudhë të ngarkuar e të zgjatur, Tajari nuk e harron kurrë mbështetjen dhe ndihmën e “mbretëreshës” së tij, vajzës së tezes.
Tajar: Me zonjën time, Gjyljanën kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, por lindjet kanë qenë të vështira, kanë qenë me operim të dyja lindjet dhe si rezultat i lindjeve pati komplikacione në pjesën e brendshme të cipës së barkut. Në vitin 1990, ishte me shumë temperaturë dhe u shtrua në spitalin e Beratit dhe pasi u konkludua, pas 2-3 javësh e shtruar në Berat, erdhëm në Tiranë, u shtrua në Tiranë dhe u shtrua për një gjëndër tumorale.
Ardit Gjebrea: Në Tiranë apo në Berat thanë që është një gjëndër tumorale?
Tajar: Në Tiranë thanë që është një gjëndër tumorale.
Ardit Gjebrea: Ah, e kuptova.
Tajar: E panë me eko dhe me ato aparatura që ishin në ’90-ën, ishin një çikë të vështira setani është tjetër shkencë e teknologji.
Ardit Gjebrea: Besoj një tronditje e madhe të marrësh vesh që ke një tumor në bark?
Tajar: Tronditje dhe unë nuk e shpreha këtë lloj emocioni te të tjerët, por vetëm te vetja dhe i thashë babait.
Ardit Gjebrea: Çfarë u vendos, të bëhej operacion?
Tajar: U vendos që të shtrohej në Spitalin Onkologjik dhe u shtrua faktikisht, në fund të qershorit, korrik 1990 u bë operim. Mjekët çfarë kishin të shkruar në kartela panë. Ata nga gëzimi që s’kishte sëmundje të keqe…
Ardit Gjebrea: Domethënë nuk ishte gjëndër tumorale?
Tajar: Jo, jo, nuk ishte tumor.
Ardit Gjebrea: Një infeksion, por nga se ishte shkaktuar?
Tajar: Nga penjtë që kishin qepur në lindje, si duket trupi nuk i asimiloi.
Ardit Gjebrea: Pati infeksion.
Tajar: Në 1996 u shfaq prapë, operacion tjetër, por operacionin tjetër e bëmë njëherë në Berat, pastaj nga Berati erdhëm në Spitalin Ushtarak se ata nga Berati nuk e bënë dot.
Ardit Gjebrea: Tani cili është roli i vajzës së tezes në këtë histori?
Tajar: Ajo është mbretëresha ime, ajo është heroinë! Jo vetëm për mua, por për gjiithë farefisin. Ajo është grua me tre fëmijë, burrë dhe kushte si të gjithë shqiptarët, por bamirësi të paparë. Kur unë u shtrova në 1990, ajo vinte nga Kombinati, punonte me turne, vinte në spital, i sillte edhe për të ngrënë zonjës dhe i sillte rroba të hekurosura, të lara, të ndërruara. Unë vija çlodhesha, haja, pija atje, çupë tezeje e kisha, por ajo nuk e dha ndonjëherë veten, ajo dhe burri i saj. Në vitin 1996 (gruaja) u shtrua në Laprakë te Spitali Ushtarak. Vinte me dy autobusë, një nga Kombinati në qendër dhe nga qendra në Laprakë.
Ardit Gjebrea: Xhemilja?
Tajar: Xhemilja, çupa e tezes. Edhe dy herë në ditë kishte raste që vinte. Nuk e di, nuk e imagjinoj dot se ku e gjente atë kohë, sa sakrificë bënte ajo për mua.
Humbi nënën nga incidenti tragjik: Harroi të mbyllte gazin, shpërtheu kur e ndezi…
Veprat e jashtëzakonshme kryhen nga njerëzit e zakonshëm, si Xhemilja. Tajari rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për “heroinën” e tij, vajzën e tezes që e ka ndihmuar pa kursyer asgjë.
Gjatë periudhës që bashkëshortja e Tajarit gjendej e shtruar në spital, Xhemilja gjente kohën jo vetëm për familjen e punën, por edhe për t’u kujdesur për të. Pasi prindërit e Tajarit erdhën në Tiranë, ajo u dedikonte kohë edhe atyre duke u bërë si vajzë për ta.
Tajari ndan edhe humbjen tragjike të nënës së tij për shkak të një incidenti me bombolën e gazit.
Tajar: Në vitet 2000, prindërit më erdhën në Tiranë, po aty afër Xhemiles, në Kombinat. Qëlloi që në 2015-ën, babai u sëmur me sklerozë dhe nuk dinte çfarë bënte. Kjo shkonte te mamaja ime, te tezja e saj, pothuajse 2-3 herë në ditë dhe e ushqente babanë se prindërit e mi kishin 4 djem dhe mamaja e konsideronte Xhemilen gocën e vet. Kjo na lidhi edhe më shumë. Ne të lidhur ishim, por na lidhi më shumë, e bëri respekti që kishte ndaj familjes sonë dhe ne jemi të detyruar që edhe atë ta respektojmë, është idhull për ne.
Ardit Gjebrea: Çfarë bënte Xhemilja?
Tajar: Përveç atyre që bënte Xhemilja, edhe babait… e ushqente, e mbante, e ngrinte dhe në 2020 babai ndërroi jetë. Ngeli vetëm mamaja, ajo shkonte te mamaja 3-4 herë në ditë dhe sot mamaja ime do të ishte 90 vjeçe dhe unë e kisha në mendje se emisioni juaj ka kohë që ka dalë, ajo e ndiqte emisionin tuaj shumë dhe thoshte “lum si nëna që të ka bërë o Ardit!” S’qe fati i saj të takohej me ju dhe unë për hatër të nënës, Xhemilja e ka bërë vetë vendin e saj, por për t’i thënë që të jam unë mirënjohës, të janë prindërit e mi mirënjohës dhe gjithë farefisi që ke ti të janë mirënjohës për këto që ke bërë.
Ardit Gjebrea: Si e përjetoi Xhemilja ndarjen nga jeta të nënës suaj? Çfarë ndodhi, pse u nda nëna juaj nga jeta? Ishte mosha apo diçka tjetër?
Tajar: Mamaja ime iku aksidentalisht. Ajo po përgatiste diçka në furnelën me gaz, si duket iu derdh diçka dhe iu shua furnela, harroi ta mbyllte gazin. Pas një a dy orësh, u kujtua, kur e ndezi ajo shpërtheu dhe iku në këtë mënyrë tragjike.
Ardit Gjebrea: Kaloi disa ditë në spital?
Tajar: Jo, 6 orë vajti. Nga ora 12 deri në orën 6.
“Fener ndriçues”, Tajari i përçon Xhemiles mesazhin e veçantë në 90-vjetorin e nënës së ndjerë
Disa heronj e heroina nuk kanë nevojë për pelerina që të mbahen mend. Veprat e tyre i bëjnë me zemër e pa kërkuar asgjë, por duke lënë gjurmë të forta te ata që prekin. Kështu është edhe historia e Xhemiles, vajzës së tezes së Tajarit që ky i fundit e ka ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”.
Kjo grua me një buzëqeshje të paqtë në fytyrë që hyri në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, flet me zë të lehtë duke kontrastuar me fuqinë e veprave të saj të mira. Edhe pse bashkëshorti i saj ndodhet i shtruar në spital, Xhemilja e ka gjetur kohën për të ardhur. Ndihma e pakushtëzuar që ka marrë prej saj e ka nxitur Tajarin që ta falenderojë në një ditë të veçantë, në përvjetorin e 90-të të nënës së tij të ndjerë.
Tajar: Mesazhin unë dua ta them me fjalët e mia. Ti je fener ndriçues për familjen tonë. Ti je një njeri që nuk ka mundësi të të shlyejmë ato që ke bërë ti për ne. Vendosmëria që të kam marrë, për të gjitha të mirat që ke bërë ti por sot mamaja mbush 90 vjeç dhe ti ke qenë vajzë kaluar vajzës për të.
Xhemile: Kam bërë vetëm detyrën time si mbesë.
Tajar: Uroj shërim sa më të shpejtë dhe të falenderoj në emër të familjes dhe gjithë njerëzve tanë për ato që ke bërë për familjen tonë!
Xhemilja tregoi fare thjesht sesi prindërit ia kanë ushqyer gjithnjë ndjesinë për të ndihmuar e respektuar të tjerët dhe ajo është përpjekur të veprojë njësoj me fëmijët e saj. Ajo nuk ka ndihmuar vetëm Tajarin, por këdo për të cilin ka pasur mundësi të ofrojë sadopak. Sa për tezen e saj të ndjerë e cila e konsideronte Xhemilen si vajzë, ajo tregon mes lotësh se e kishte amanet nga nëna.
Xhemile: Me tezen u lidha shumë se mamaja ndërroi jetë. Më la edhe një si amanet. Tha “dëgjo, ju kam lënë amanet Sadeten” se Sadete e quanin ndjesë pastë dhe “të ma shikoni se ajo i ka çuna të gjithë, s’ka goca”. Mua më ngeli ajo. Afër isha me shtëpi dhe nuk kishte ditë mos të shkoja, nuk kishte arsye të pengohesha. Pastaj unë e kam pasur tim shoq shumë të respektuar për njerëzit dhe çdo gjë unë ia dedikoj atij.
/tvklan.al