Me zërin e tij ai ka prekur skena të rëndësishme nga ku ka marrë duartrokitje pa fund nga publiku dhe artdashësit shqiptarë. Javën e 7-të në “Kënga Magjike” Tiri Gjoci performoi një këngë ndryshe nga herët e tjera.
“Mos ik ma”, titullohet kënga e cila i është shtuar repertorit të tij. I ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan, këngëtari shprehet se kjo këngë i dedikohet personit më të shtrenjtë të jetës së tij, mamasë së tij.
Tiri Gjoci thotë se kënga është ideuar afro para 4 viteve, në një periudhë shumë të vështirë për të dhe mamanë e tij. “Nuk e dija nëse do të më kthehej më”, tha këngëtari teksa kujton momentet në spital, ku i mbetej vetëm të lutej dhe të thoshte “mos ik”.
Aldo: Gjatë kohës që është bërë kjo këngë, ose gjatë kohës që e ke interpretuar apo regjistruar e kishe mamin tënd para syve?
Tiri Gjoci: Kjo këngë është ideuar në vitin 2018. Faktikisht ajo ka qenë një periudhë kur mami ka qenë sëmurë dhe ideja për ta bërë këtë këngë më ka ardhur kur e kam parë mamin të shtrirë në spital dhe nuk e dija nëse do të më kthehej më mbrapsht. Në atë moment e vetmja gjë që mund të bëjmë është që të lutemi dhe të themi që “mos ik”. Kjo është e vetmja gjë që mund të bëjmë.
Aldo: Ka pasur kënga kritika?
Tiri Gjoci: Çuditërisht unë po shqetësohem që nuk ka pasur me thënë të vërtetën, nuk është shenjë e mirë kjo sepse duhet të ketë pak kritika. Por unë jam shumë i kënaqur me materialin./tvklan.al