Emisioni “Stop” ndodhet në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjes” me drejtoreshën Aida Zekja, e cila në Shkurt 2024 u bë virale në rrjetet sociale duke e kthyer shkollën në vend ahengu.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Zonja Zekja e ka kthyer institucionin si pronën e vet, sepse ka 4 vjet që është e komanduar dhe ende pa certifikatë drejtori.
Në Qershor 2024, DRAP Durrës kërkoi që të bëhej konkurs në dy shkolla për pozicionin e drejtorit. Por kjo nuk ndodhi pasi Aida Zekja u justifikua me raporte shëndetësore.
Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti e cilëson këtë akt, si vepër penale dhe shprehet, se DRAP Tirana tashmë duhet të zgjidhë situatën ose në të kundërt bëhet bashkëfajtor.
“Që këtu ajo është e jashtëligjshme përderisa është 4 vjet. U bënë 4 vjet që nuk ka certifikatë. Fakti që ka një vërejtje e ka zvarritur dhe e bën akoma më të rëndë kufijtë e një çështjeje penale. DRAP-i i Durrësit që përfshin dhe Tiranën duhet të kishte ardhur të inspektonte situatën. Nëse drejtoresha ka qenë sëmurë DRAP-i merrte në dorë situatën, ngrinte vetë një komision shpallte vendet vakante dhe sipas procedurës që ka, ata të cilët renditeshin ankoheshin nëse kishte dikur brenda 3 ditëve punë kalendarike dhe shpallej fituesi. Kjo punë duhet të kishte mbaruar tani. Duhet të shpallet konkursi dhe të pezullohet nga puna drejtoresha për shkak se ka kaluar afati i komandimit dhe brenda dy javëve të vendosë ligjshmërinë në këtë shkollë, nëse nuk e bën këtë atëherë vetë ky DRAP është bashkëpunëtor në krim me drejtoreshën e shkollës ose me drejtuesit e shkollës që janë aty”, sqaroi eksperti Ndriçim Mehmeti./tvklan.al