Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë shembjen e një çatie në aeroportin e Delhit. Si pasojë e ngjarjes, është shënuar 1 viktimë dhe janë plagosur 8 të tjerë. Gjithashtu 4 automjete janë dëmtuar. Të gjitha fluturimet nga terminali janë pezulluar deri në një njoftim të dytë.

“Ndërsa rrethanat e ngjarjes janë duke u vlerësuar, shkaku kryesor duket të jenë reshjet e dendura të vazhdueshme gjatë orëve të fundit”, tha një zëdhënës i aeroportit.

Incidenti ka ndikuar në planet e udhëtimit të mijëra njerëzve, pasi shumica e fluturimeve nisen nga terminali 1, ku dhe ka ndodhur ngjarja. Disa linja ajrore kanë zhvendosur fluturimet nga dy terminalet e mbetura në aeroport.

Autoritetet në Aeroportin Ndërkombëtar “Delhi Limited” deklaruan se një komitet teknik ishte formuar për të hetuar shkakun e aksidentit.

“Ne po punojmë me të gjitha agjencitë përkatëse për të vlerësuar situatën dhe për të rivendosur operacionet”, shtuan ata.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë goditur Delhin që nga e enjtja, duke sjellë rënien e temperaturave të larta që kryeqyteti indian po përjetonte që nga muaji Prill. Por nga ana tjetër, reshjet e dendura kanë sjellë kaos në qytet pasi ka bllokime të mëdha trafiku si pasojë e rrugëve të mbushura me ujë./tvklan.al