61 persona humbën jetën nga rënia e një avioni pranë Sao Paulos në Brazil. Avioni i vogël i pasagjerëve ra në një zonë të banuar, ndërsa vendasit filmuan momentet tragjike të rënies.
Avioni i pasagjerëve ra në qytezën Vinjedo vetëm 5 minuta para orarit të planifikuar për të zbritur në aeroportin Guarulos të Sao Paulos.
Pamjet e filmuara nga banorët vendas tregojnë se mjeti fluturues ATR 72-500 i kompanisë ajrore braziliane Voepas për linjat brenda vendit, bie duke lëvizur në një trajektore në formë spiraleje.
Mes viktimave, 57 janë pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit. Avioni ra në një zonë të banuar me vila dhe shpërtheu në flakë, por pa shkaktuar lëndime tek banorët vendas. Shkaqet e tragjedisë mbeten të paqarta, ndërsa hetuesit po analizojnë kutitë e zeza që tashmë janë gjetur.
Avioni u nis nga aeroporti i qytetit jugor të Kasavelit në mesditë dhe humbi kontaktet gjatë udhëtimit. Mjeti fluturues i markës franko-italiane ATR ishte prodhim i vitit 2010 dhe ishte vlerësuar si në gjendje të mirë pune, pasi i kishte kaluar rregullisht kontrollet teknike.
Në hetime kanë pranuar të bashkëpunojnë edhe ekspertë të firmës prodhuese.
Tv Klan