“I përgjumuri Joe” që zgjoi Amerikën
E treta e vërteta për Joe Biden. 77-vjeçari që shkon në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti më i moshuar në historinë e vendit kishte kandiduar edhe 2 herë të tjera për këtë post, por pa sukses. Në fillim në ‘88-ën dhe më pas në 2008-ën, por karriera e tij 50-vjeçare në politikën amerikane është ndjekur edhe nga tragjedi familjare.
Ai u bë senatori i pestë më i ri në historinë e vendit në vitin 1972 pak javë më pas humbi bashkëshorten dhe vajzën vetëm 1 vjeç në një aksident automobilistik ku shpëtuan fatmirësisht 2 djemtë e tij.
I goditur nga aneurizma të shumta në 1988, i mbijetoi një operacioni 9-orësh. Në 2015-ën humbi njërin nga djemtë e tij për shkak të tumorit në tru dhe për shkak të dhimbjes nuk kandidoi përballë Trump në atë kohë.
8 vjet si zv/President në krah të Barack Obamës i faturuan disa nga sukseset dhe dështimet e tij, por që në atë kohë analistët panë se ai po përgatitej për të garuar sërish për kreun e Shtëpisë së Bardhë.
Bashkëpunimi me një president me ngjyrë i rritën popullaritetin në komunitetin afro-amerikan. Kjo shihet sot edhe si një nga arsyet e fitores. Në krahun tjetër thuhet se Trump humbi në këto 4 vite sharmin e një njeriu që vinte nga jashtë sistemit.
Por çfarë presidenti do të jetë Joe Biden? Sfida e parë është Covid-19. Pritet të shihet cila do të jetë sjellja në lidhje me mbylljen e vendit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë.
Në pritje janë edhe çështjet ndërkombëtare, marrëdhëniet me Kinën, Rusinë, Lindjen e Mesme apo Europën. “I përgjumuri Joe” siç e quante Trump, zgjoi Amerikën” shkruajnë gazetat që pyesin tashmë se çfarë do të bëjë ai me botën.
Tv Klan