Shkrimtarja Rita Petro ka qenë e ftuar në emisionin “Historia ime” në tv Klan ku ka rrëfyer më gjatë për jetën e saj private dhe profesionale. E pyetur nga moderatorja Mirela Milori për situatën që u krijua pas pikëve të ulta që i dha Elvana Gjatës në festivalin ’58 në RTSH, ajo shprehet se ka marrë shumë ofendime nga fansat e këngëtares dhe ka dhënë vlerësimin siç ajo e mendonte.

Mirela Milori: E mendove stuhinë që do krijoje duke i dhënë pak pikë Elvana Gjatës me këngën “Me Tana”?

Rita Petro: Fare absolutisht, as bëhej fjalë. Unë për herë të parë isha në një juri të një festivali kombëtar. Në një farë mënyre kemi shkuar “si cjapi tek kasapi”, e thoshim me Mikaelën këtë shprehje sepse as e kishim menduar, as nuk kishte ndikuar njeri se çfarë duhet të bënim, mbase na kishin zgjedhur dhe si femra të lira, autoritare që të bënim atë që mendonim ne. Sharjet më rikthyen kohën kur doli libri “Vrima” për herë të parë, të njëjtat sharje. Në pjesën e Facebook-ut njerëzit na lavdëronin ose thoshin shumë mirë bëtë sepse nuk e meritonte ajo këngë, ndërsa  në Instagram u bë nami me sharjet nga më të ndryshmet.

Mirela Milori: Si u ndjeve kaq e ekspozuar përpara botës, Instagramit?

Rita Petro: Lakuriq edhe në rastin e librit kur nxora edhe në këtë rast. Ishte provokim që u bë nga organizatorët që thanë se ne ishim ato të cilat ose nuk merrnim vesh ose ishin të blera, u bashkuan disa provokime me njëra-tjetrën. Por sharjet  më të shumta ishin nga fansat dhe nuk e kisha menduar se nuk i përkas atij komuniteti.

Mirela Milori: Pate ndonjë bisedë me Elvanën, ndonjë mesazh pse kaq pikë apo jo?

Rita Petro: Jo absolutisht, as presione nga njerëzit e saj.

Mirela Milori: Po nga organizatorët pate ndonjë telefonatë?

Rita Petro: Jo absolutisht as nga organizatorë, të paktën mua nuk më mori askush në telefon që të më thoshte pse ishte kjo vota sepse unë dola dhe e shpjegova votën time. /tvklan.al