Lajme Arkiva 2003

Vendimi i kryesisë së Partisë Socialiste për të mos pranuar hetimin nga parlamenti të kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama, ka detyruar demokratët të adresojnë akuzat më të rënda për socialistët. Nëpërmjet zëdhënësit të saj Partia Demokratike e ka konsideruar këtë një veprim puçist të kryeministrit Fatos Nano.

Edi Paloka: Me një gjakftohtësi kriminale të cilën do jua kishte zili edhe byroja politike e Hoxhës, ata deklaruan dje se do të vazhdojnë të mbështesin si pushtet krimin e organizuar në Shqipëri dhe se do të vazhdojnë të përdorin pushtetin për të vjedhur dhe shpërdoruar paratë e taksapaguesve shqiptarë. Duke vendosur bllokimin e hetimit parlamentarë për Edvin Ramën, për vjedhjet shpërdorimet dhe lidhjet e tij me krimin e organizuar, ata vendosën bllokimin total të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. Partia Demokratike e konsideron bllokimin e ngritjes së komisionit hetimor parlamentarë si një veprim puçist të krimit të organizuar udhëhequr nga Fatos Nano.

Duke siguruar se nuk do të ketë negociata me socialistët për këtë çështje, Paloka ka paralajmëruar mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike. Ndërkohë zëdhënësi demokrat ka reaguar ashpër edhe ndaj Ministrit të Financave Kastriot Islami pasi u pyet për një dosje të publikuar në shtypin e ditës dhe që tregonte se si ishte dënuar për kontrabandë cigaresh drejtori i përgjithshëm i Doganave Ferdinand Papadhima.

Edi Paloka: Zoti Islami thjesht ka mashtruar FMN-në duke i thënë se nuk ka qenë kurrë i dënuar zoti Papadhima. Ky sigurisht është një skandal, një ministër që mashtron një organizatë ndërkombëtare , pro skandalet në Shqipëri janë bërë tani të përditshme, duken si gjëra të zakonshme. Një ministër që gënjen, një ministër që vjedh në Shqipëri është bërë si diçka normale./tvklan.al