“Krishtlindje në Tiranë” për të 10-in vit radhazi vjen kësaj here me shumë magji e surpriza, pikërisht në vigjilje të Krishtlindjes, sonte në orën 21:00 në Televizionin Klan Plus. Ndryshe nga vitet e tjera, për herë të parë në këtë edicion, pjesëmarrës në spektaklin televiziv do të jenë fëmijët dhe artistët e huaj.
Siç bën të ditur dhe producenti Sokol Guga artistët do të jenë nga Greqia dhe Japonia. Mbrëmja do të sjellë tregime jetësore, mirënjohje dhe performanca nga shumë artistë shqiptarë.
Ky spektakël, që tashmë është kthyer në një traditë të dashur për publikun, edhe këtë vit vjen
nën drejtimin e tre figurave të njohura dhe të dashura të ekranit; Eni Çobani, Albert Dumani dhe Sokol Guga. Në studion e “Rudina”, ata tregojnë pak nga surprizat e natës së sotme.
“Vit pas viti në fakt Sokoli ka sjellë risi dhe na ka befasuar pavarësisht se kemi qenë afër tij dhe në përgatitjet. Sokoli i përcjell me shumë emocion që tani ai mendon për edicionin e ardhshëm, pra punon një vit të tërë dhe të punosh një vit të tërë patjetër që do të sjellësh sukses. Por në ato muajt e fundit futemi dhe ne brenda emocionit të Sokolit. Unë sigurisht kam një fushë të vështirë në të cilën operoj dhe mundoj që në ato orët e mia që mbeten gjatë ditës t’i bashkohem pak Sokolit dhe në orë të vona, por për të mos e lënë vetëm sepse emocioni të përfshin dhe ti duhet ta ndjesh më përpara atë që do të transmetosh. Ky 10 vjetor në ndryshim nga të tjerët nuk ka sjellë vetëm mesazhin e dashurisë, por mbi të gjitha ka sjellë atë të atdhedashurisë. Ne kishim sivjet një përvjetor shumë të rëndësishëm dhe vërtet u përfshimë të gjithë, si ata që erdhën të ftuar dhe ne që ishim në sallë me një muzikë të jashtëzakonshme të vërtetë shqiptare. Do të thotë që Sokoli donte të përcillte edhe këtë dashuri, pra jo vetëm për festën që festa është një mrekulli, por festat kur i bën në atdheun që ti do dhe realisht jemi ndjerë vërtet shqiptarë”, tha juristja Eni Çobani.
Drejtuesi i programacionit në Tv Klan, Albert Dumani, shton se në spektakël do të jetë një kolonë me këngë nga filmat shqiptarë. /tvklan.al