Një nga rastet më të bujshme të rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ishte dyshimi i Edmondit ndaj Nailes për tradhti dhe atësinë e fëmijëve të tyre. Që prej përballjes së tyre në studio Nailja u shpreh e gatshme për të kryer testin e ADN-së, e bindur në besnikërinë e saj.
Këtë prag fundviti, ka ardhur momenti i së vërtetës. Në një ditë me rrebeshe shiu, Eni Çobani dhe ekspertët e “Forensic Center Albania” u nisën drejt Burrelit për të takuar Nailen. Ajo i mirëpriti në shtëpinë e saj duke u shprehur e çliruar që më në fund ka ardhur dita, por edhe e prekur për dyshimet ndaj saj.
Nailja tregon se pas seancës së ndërmjetësimit, Edmondi ka ushtruar sërish dhunë ndaj saj. Ajo e ka kallëzuar e si rrjedhojë, ai po vuan dënimin.
Naile: Mua nuk më beson askush. Unë për vete jam shumë e pastër. Mua më ka akuzuar jashtë ligjit. Nuk duhet bërë ajo akuzë ndaj meje. Unë kam qenë e gatshme gjtihmonë që të bëjmë një ADN.
Eni Çobani: Si është e mundur që Edmondi nuk është akoma në shtëpi në këto momente?
Naile: Është e mundur se Edmondi sa erdhëm nga zyra e “Shihemi në Gjyq”, në krye të dy ditëve ushtroi dhunë.
Eni Çobani: Sërish?
Naile: Sërish, i thashë o Edmond mua më humbe vendin e punës, më ndave prej vëllezërve, prej mamit, gjithçka. Çfarë më bëre kështu, nuk qe nevoja.Unë shkoja në punë, i bënim ato lekë dhe e bënim ADN-në të ishe i sigurt ti ose ndaheshim dhe ti shihje punën tënde, unë punën time. Edmondi erdhi pikërisht në këtë divan që jemi ne tani, më futi dy duart në fyt, më kapi nga xhupi që kisha veshur e më plasi mureve e divaneve. Nga ajo frikë, nuk kisha rrugë tjetër më, vetëm kallëzim.
Nailja nuk ia fal Edmondit që ai zgjodhi të besojë fjalët e të tjerëve e të dyshojë për të.
Naile: Unë s’kam qetësi me atë person. Dua të dalë e vërteta në shesh, dua të jem e pastër për vete dhe unë me atë person, si t’i bjerë dielli tokës nuk bashkohem më.
Eni Çobani: Pra ti e quan shumë të rëndë dyshimin që ai ka ngritur?
Naile: Dyshimin që ai ka ngritur, dhunën që ka ngritur duke ia imponuar të tjerëve. Çfarë njeriu është ai që të marrë fjalët e njerëzve?/tvklan.al