Çmenduritë nuk kanë të sosur në botën e sportit. I radhës ka të bëjë me legjendën Rafael Nadal, i cili konfirmoi se po luan ndeshjet e tij të fundit. Kjo ka shtyrë interesin e tifozëve për të parë ndoshta për herë të fundit Nadal në nivele të larta, duke bërë që biletat e Kupës Davis e ku prezent do të jetë spanjolli të kapin majat.

Biletat për çerekfinalen mes Spanjës dhe Holandës po shiten nga 1500 Euro deri në 33 mijë e 600 në atë që cilësohet si kërcimi i fundit prej Nadal nga tifozët. Shifra absolutisht të larta, pasi bileta më e lirë kushtonte 48 Euro pa u njoftuar pensionimi nga Nadal, ndërsa në tribunën VIP ky çmim kapte vlerën e 525 Eurove.

Nëse nuk ka ndryshime në minutën e fundit dhe sipas listës së çmimeve të Federatës Botërore të Tenisit biletat do të kushtojnë nga 53 në 595 Euro për gjysmëfinalet dhe nga 63 në 650 Euro për finalen. Rafael Nadal është cilësuar si mbret i fushës me dhe, teksa në total ka fituar 22 titujt Grand Slam.

Klan News