Ekipi Olimpik Shqiptar ka nisur pjesën më të rëndësishme të stërvitjes para garave.
Të gjithë sportistët janë në gjendje të mirë, përfshi mundësin Sahit Prizreni, i cili pati ditët e fundit probleme me gjurin.
Sipas lajmeve që vijnë nga Pekini flamurmbajtësi i ekipit shqiptar do të jetë në formën e tij më të mirë ditën e ndeshjes.
Sportistët tanë janë ambientuar me ndryshimin e orarit dhe të gjithë po stërviten, përfshi peshëngritësit, të cilët mbërritën të fundit në fshatin olimpik.
Probleme me pistoletën e garës ka Lindita Kodra, pasi armës i mungojnë dy vida në pjesën e saj mbajtëse.
Kjo sipas sekretarit të KOKSH-it, Stavri Bello, nuk përbën pengesë për të, pasi qitësja jonë po stërvitet me një armë tjetër, ndërsa pjesët që i duhen do të mbërrijnë para 10 Gushtit, dita kur ajo të jetë në poligon për garën e 10 metrave pistoletë ajër./tvklan.al