“Liv Hospital” sensibilizon femrat që të ekzaminohen për kancerin e gjirit
Qindra gra në qytetin e Vlorës patën mundësinë që të kryenin ekografinë dhe ekzaminimin manual të gjirit. Mjekë të “Liv Hospital” me qendër në Tiranë, udhëtuan drejt qytetit bregdetar për t’u dhënë mundësinë femrave që të ekzaminohen për të parandaluar shfaqjen e kancerit të gjirit. Koordinatorja e “Liv Hospital” për Shqipërinë, znj. Alketa Brahushaj sensibilizoi gratë që të depistohen pasi rastet me këtë sëmundje në botë janë të shumta.
“Motoja jonë është ekzaminimi i hershëm shpëton jetë. Siç dimë, një në tetë gra, për fatin e keq është me kancer të gjirit nga statistikat ndërkombëtare. Për këtë arsye nga ekzaminimi i hershëm ne nuk kalojmë më as te trajtimi onkologjik siç janë radioterapia, kimioterapia që janë vërtet terapi shumë të vështira, që ulin imunitetin, që japin vështirësi ekonomike dhe në të gjitha drejtimet e tjera. Për këtë, ekzaminimi I hershëm gjithmonë është një motiv më shumë”.
Një thirrje për të gjitha gratë erdhi edhe mjekja turke Tugba Ilkem.
“Këshillojmë gratë mbi 40 vjeçe që të kryejnë mamografi dhe kontrolle vjetore. Kjo është një sëmundje që mund të parandalohet”.
Kjo nismë e spitalit Liv erdhi në bashkëpunim me bashkinë e Vlorës.
“Këtu bëhen ekzaminimet falas, të vijnë, të marrin kuponin dhe të realizojnë ekzaminimin me doktoreshën e cila ka ardhur nga Turqia”, bëri thirrje Dritan Leli.
Në shenjë mirënjohjeje dhe falenderime për këtë bashkëpunim “Liv Hospital” do të ofrojë një ndërhyrje falas për një fëmijë që ka nevojë për transplant veshke.
“Në qoftë se në bashkinë tuaj do të ketë një fëmijë që ka nevojë për një transplant veshke, pa asnjë lloj pagese, ‘Liv Hospital’ e ofron falas”.
Tetori është muaji i sensibilizimit në luftën kundër kancerit të gjirit. Spitali “Liv” do të jetë edhe në qytete të tjera të vendit për të sensibilizuar gratë që ta kryejnë ekzaminimet dhe kontrollet vjetore.
Klan News