Në emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus janë publikuar për herë të parë fotot ekskluzive të një personazhi të njohur të përfshirë në grabitjet e parave në aeroportin e Rinasit, i cili prezantohej si bankier.
Gazetari Eni Ferhati, i ftuar në emision, ka zbuluar se personi që prezantohej si bankier ishte Admir Murataj. Ky i fundit mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë në grabitjen e fundit në vitin 2019 në pistën e aeroportit të Rinasit.
Gazetari Ferhati u shpreh se Admir Murataj ndryshonte shpesh modelin e flokëve dhe pamjen e tij të jashtme për të mos u zbuluar pasi ishte në kërkim nga policia pikërisht për grabitjet e Rinasit.
Sipas gazetarit, ai u prezantohej qytetarëve si punonjës banke, në një farë mënyrë për të justifikuar edhe jetesën e tij.
Këto dy foto të reja që u publikuan ekskluzivisht në emisionin “Uniko”, nuk janë pjesë e dosjes hetimore, por janë konfirmuar nga burime policore se ky person është Admir Murataj.
Eni Ferhati: Admir Murataj, ky personazh mistik i cili u zbulua nga policia për herë të parë si autor i grabitjeve për shkak se u gjetën prova në vitin 2017, ishte një nga më të shumëkërkuarit e Policisë së Tiranës, dhe për këtë arsye sigurisht ai duhet të bënte një jetë të dyfishtë për t’iu shmangur dhe kapjes nga ana e uniformave blu. Ka informacione që ai ka jetuar në rrugën e Elbasanit me familjarët e tij.
Spartak Koka: Pra kush është bankieri?
Eni Ferhati: Bankieri është i ndjeri Admir Murataj. Kjo është një foto e shkëputur, është shtetasi Admir Murataj i njohur ndryshe dhe me mbiemrin Nikaj.
Spartak Koka: Kur është bërë kjo foto se Admir Murataj është vrarë në Prill të vitit 2019?
Eni Ferhati: Kjo foto mendohet të jetë bërë para grabitjes së vitit 2019, por pas grabitjeve të 2017-ës, kur Admir Murataj dhe pse ishte në kërkim nga policia, lëvizte i lirë. Sipas informacioneve, është në një darkë familjare këtu, por ajo që bën përshtypje është se Admir Murataj nga familjarët e tij apo dhe vajza e tij, prezantohej si një punonjës banke, si bankier, dhe në këtë lloj mënyrë kishte menduar që mund të shmangej dhe kureshtjes të qytetarëve, komshinjve apo dhe personave të tjerë që mund ta identifikonin si të shumëkërkuarin e uniformave blu.
Spartak Koka: Pra lëvizte lirshëm në kryeqytet gjatë asaj periudhe?
Eni Ferhati: Ka informacione për shkak edhe të dyshimeve të grupit hetimor se Admir Murataj, por dhe anëtarë të tjerë të bandës së tij, kishin lidhje shumë të thella në Policinë e Shtetit. Zbulimi i kësaj bande ka qenë shumë intrigues për vetë faktin dhe tipologjinë se si vepronte ky grup kriminal.
Spartak Koka: Këtu ka ndryshuar. Ka bërë operacion?
Eni Ferhati: Nuk ka të dhëna që Admir Murataj të ketë kryer operacion, por ajo çfarë bën përshtypje është fakti që në këtë hark kohor nga viti 2015 deri në vitin 2018, Admir Murataj shfaqet me modele të ndryshme flokësh, me mjekër në disa raste.
Spartak Koka: Përse prezantohej si bankier?
Eni Ferhati: Kanë qenë familjarët që e kanë prezantuar kryesisht si bankier Admir Muratajn për shkak se dihet që ishte një person në kërkim dhe për t’ju shmangur kapjes së policisë por dhe për të justifikuar jetën që Admir Murataj bënte, për shkak se mund të ketë administruar dhe makina luksoze ose biznese të ndryshme dhe apartamente në një zonë të mirë të kryeqytetit, në rrugën e Elbasanit, kjo është nevojitur dhe si alibi për të justifikuar jetën e tij, por edhe për të patur një profesion të mirëpritur nga komshtinjtë, qytetarët, dhe për t’iu shmangur kapjes nga policia.
Spartak Koka: Këto foto janë në dosjen hetimore?
Eni Ferhati: Sipas informacioneve që kam unë, nuk janë në dosjen hetimore, por janë të konfirmuara nga policia dhe janë të siguruara më pas në rrugë operative. /klanplus