E pazakontë për kryeqytetin shqiptar, tablo gjeniale të apostujve që shënjuan artin botëror në të gjitha kohërat me hirin hyjnor të krijimit janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ky prezantim i rrallë i koleksionit privat Ca La Xhironda të doktorit të shquar italian Francesco Martani, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, mori jetë falë veprimtarive të Ambasadës Italiane në kuadër të pranverës italo-shqiptare “Dy popuj, një det, një miqësi.”

Dr. Francesco Martani: “Të gjitha këto vepra janë të veçanta për mua. Siç e shihni jam i moshuar dhe ia kam kushtuar tërë jetën studimit të mjekësisë dhe artit, duke i ndërthurur të dyja. Kam qenë ciceron nëpër muze, dhe aty kam mësuar për piktorët e mëdhenj. E para tablo që kam marrë në dorë ishte Lukrecia e Francesco Françës. Një tjetër piktor që e desha vërtet ishte Fontana, të cilin munda ta njoh para se të vdiste dhe më dha mundësinë të kuptoja përsenë e këtyre shenjave, që nënkupton se kultura depërton në shpirtrat tanë, dhe ato prerje të lejojnë të njohësh botën dhe të jetosh duke i dhënë dorën e miqësisë popujve.”

Saba D’Ellia: “Mendoj se janë ekspozitat më të rëndësishme të organizuara ndonjëherë në Tiranë për sa i përket vlerave artistike. Është ky një nga momentet më kulmore të veprimtarive në kuadër të nismës italo-shqiptare ‘Dy popuj, një det, një miqësi’, veprimtari me impakt të rëndësishëm kulturor, ekonomik e politik.”

Sali Berisha: “Hapja e kësaj ekspozite të korifenjve të pikturës botërore në këtë galeri përbën një ngjarje të madhe në jetën kulturore të kryeqytetit përbën dhe një ngjarje kulmore në artet pamore midis dy vendeve tona. Marrëdhëniet kulturore janë marrëdhëniet me elitare pse asgjë nuk shpreh identitetin e një kombi më shumë se kultura e tij.”

Ekspozita, e ndarë në dy anekse, flet për Shkëlqimet Klasike përmes veprave të mëdha të shekujve të 16 dhe 17 të shkollave italiane; si Madalena Pendestare e Guido Renit, Anibale Carraci, e shumë të tjerë.

Atmosfera e shekullit të 20-të prezantohet me tablo unike të Kazimir Malevic, René Magritte, Francis Bacon, Marc Chagall, Pablo Picasso, me vepra të modernistëve italianë si Sandro Chia, Pistoletto, Morandi, Fontana, apo atyre amerikane Basquiat dhe Andy Warhol.

Nëpër këtë shëtitje ideale mes qindra miliona eurosh, ajo që ndjen shumëkush është dashuria për artin, një vlerë sublime që inspiroi jetën e doktorit italian./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani