Një ekspozitë e re kushtuar Marilyn Monroe është hapur në Londër duke shfaqur një sërë sendesh personale që dikur i përkisnin yllit të Hollivudit. “Marilyn-The Exhibition” paraqet një përzgjedhje të fotografive, letrave dhe dokumenteve të aktores nga kompania e saj e prodhimit të filmit, si dhe veshje dhe produkte bukurie midis 250 artikujve të ekspozuar.
Ato vijnë nga koleksioni privat i kuratorit Ted Stampfer, i cili tha se ai ishte tërhequr nga “qëndrimi e karizma e Monroe”.
“Ajo ishte pak e prekshme, e brishtë, por nga ana tjetër, shumë e fortë, ambicioze, e guximshme në botën e dominuar nga meshkujt në vitet 1950,” tha ai për “Reuters”.
Ideja për këtë ekspozitë nuk ishte vetëm që të paraqiste objekte në vitrinë, por edhe anën sentimentale të Marilyn që askush nuk e njeh. Ekspozita tregon jetën e aktores që nga fëmijëria e saj e vështirë për t’u bërë një nga fytyrat më të famshme të Hollivudit me filma si “The Seven Year Itch”, “Some Like It Hot” dhe “Gentlemen Prefer Blondes”.
Monroe personifikoi gruan e bukur dhe joshëse te viteve 1950. Marrëdhëniet e saj personale përfshijnë martesat me lojtarin e bejsbollit Joe DiMaggio dhe dramaturgun Arthur Miller si dhe një lidhje të përfolur me presidentin e SHBA John F.Kennedy. Problemet personale dhe sëmundja duket se e zbehën bukurinë e saj vitet e fundit. Ajo vdiq në vitin 1962 nga një mbidozë, në moshën 36-vjeçare.
“Marilyn-The Exhibition”, e cila zhvillohet në Arches London Bridge, do të zgjasë deri në shkurt.
Klan News