E ndërtuar mbi konceptin e një strukture instalative, është hapur në qendrën TEG ekspozita studentore “Refleksion”. Veprat e artit janë të shoqëruara me video didaktike që shpjegojnë proceset e realizimit të tyre.
Ekspozita fryt i bashkëpunimit mes Fondacionit Mane, programit B4Students dhe Universitetit te Arteve, është pjesë e nismave që mbështesin studentët dhe talentet e reja në fushën e artit.
“Refleksion” përbëhet nga vepra artistike të realizuara nga artistë të rinj në fushën e Grafikës dhe mjeteve multifunksionale.
Puna e tyre shtrihet në një gamë të gjerë teknik dhe materialesh, duke përfshirë realizime të veçanta në letër të punuar me dorë dhe forma të tjera unike, të printuara manualisht me teknika si, zinkografia, serigrafia, si dhe vizatim grafik.
Në ekspozite gjenden edhe teknika mikse, përfshirë ndërhyrje grafike në kolazh, asemblazh, fotografi, instalacione dhe aplikime grafike në hapësira specifike urbane.
“Refleksion” ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë të qendrës dhe dashamirësve të artit, të cilët kanë vizituar ekspozitën çdo ditë.
Çdo vepër artistike është e ilustruar me një përshkrim të detajuar mbi teknikat dhe funksionalitetin unik që ajo ofron.
Tv Klan