E mbyllur për vizitorët që nga viti 2021, Galleria Kombëtare e Arteve po i nështrohet një rikonstruksioni dhe zgjerimi të hapësirës kulturore.
Si një artist në profesion Edi Rama nuk hezitoi të bëjë edhe propozime konkrete gjatë inspektimit të punimeve lidhur me projektin, që parashikon një komunikim mes dy objekteve, të vjetrit dhe të riut.
Pavarësisht pritshmërive të firmës ndërtuese, Rama vë një tjetër afat, pas ndërprerjes për një vit të punimeve që shtynë në kohë përfundimin e dy godinave.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe tha se punimet janë në fazë të avancuar, ndonëse godina ekzistuese e ndërtuar në vitet ’70 ka pasur probleme të rënda strukturore.
“Është kryer rreth 40% e punimeve. Jemi në një moment të kënaqshëm të ecurisë së punimeve. Po punohet në të dyja objektet, në objektin e vjetër dhe objektin e ri. Kanë mbaruar gjithë përforcimet. Godina ka pasur probleme të rënda strukturore, ndërtim i viteve ‘70, por me të vërtetë ndërtuar shumë pa cilësi. Shumë punë për riforcimin”, shprehet Gonxhe.
Objekti 70-vjeçar nga 4600 meter katror do të shtrihet në 10 100 metër katror, duke zgjeruar jo vetëm hapësirat e fondit të ruajtjes së veprave të artit dhe dixhitalizimit, ekspozimit, laboratorëve restaurues, por do të ofrojë edhe aktivitete për të rinjtë si dhe një sërë shërbimesh për vizitorët. Rikonstruksioni dhe rehabilitimi i hapësirave të galerisë së Arteve do të kushtojë 1 miliardë e 365 milionë Lekë.
Tv Klan