Autoritetet shqiptare kanë të gjitha instrumentet për të vënë përpara drejtësisë Durim Bamin, por dhe persona të tjerë të shumëkërkuar që fshihen në Dubai.
Deklarata u bë nga ministri i brendshëm, Taulant Balla i cili shprehet besimplotë për vënien përpara drejtësisë shqiptare të eksponentëve të krimit që jetojnë në Emiratet e Bashkuara, ndonëse me këtë vend Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.
“Dubai në mënyrë të veçantë është një oaz ku mund t’i shpëtosh përballjes me drejtësinë, jo vetëm me drejtësinë shqiptare por me drejtësinë e shumë vendeve edhe autoritete e këtij vendi mik e kuptojnë qartë që në rast si rasti që ju përmendët i kemi të gjitha instrumentet për ta tejkaluar dhe për ta vendosur jo vetëm këtë person, por edhe persona të tjerë përpara drejtësisë shqiptare.”
Kalimi në kuvend i ligjit të Policisë së Shtetit, ishte një tjetër pikë ku u ndal ministri. Përmes tij, Balla tha se do të ndryshojë mënyra e emërimit në radhët e uniformave blu, si dhe posti i çdo drejtuesi do ketë një mandat.
“Mendoj që ligji i ri do të përputhet me pritshmëritë tona për të vazhduar dhe thelluar progresin e arritur deri më tani në këtë revansh të luftës tonë kundër krimit.”
Përpara kësaj dalje për mediat, ministri i brendshëm mori pjesë në një tryezë diskutimi me donatorët ndërkombëtarë, ku kërkoi mbështetje në disa fusha, mes të cilave në luftën kundër korrupsionit apo krimit të organizuar.
Përballë këtyre kërkesave, ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato tha se ndërkombëtarët janë gati për mbështetje, por vuri theksin tek transparenca.
Tv Klan