Jani Alia dhe Renato Milloshi, dy personat e shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ekzekutimit të Elton Çiçës, dyshohet se janë fshehur në Malësinë e Tepelenës, saktësisht në dy fshatra në kufi me Vlorën.
Për këtë arsye, një njësi e Repartit RENEA, e cila është e specializuar në identifikimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të kërkuarve për vepra të rënda kriminale, është zhvendosur në Tepelenë dhe Vlorë.
Paralelisht mësohet se, nga ana e grupit hetimor, që kryesohet nga Zv/Drejtori i Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës, po vlerësohen disa informacione të mbërritura nga qytetarët, pas deklaratës për media të policisë.
Por informacionet e marra në rrugë operative, i kanë orientuar forcat e policisë në Tepelenë, vendlindjen e 39 – vjeçarit Jani Aliaj.
Mbrëmjen e 1 Majit, rreth orës 22:10, i maskuar me një paruke dhe një kapele në kokë, ai ekzekutoi 36 – vjeçarin Çiça, në shoqërinë e 3 personave.
Alia u ndihmua nga Renato Milloshi, 36 – vjeç, nga Berati dhe banues në Tiranë, i cili e transportoi atë me një makinë tip Ford, që e kishte blerë dy ditë para atentatit.
Në këtë makinë janë gjetur edhe gjurmë të gishtave të Jani Aliajt.
Pista kryesore e vrasjes së Elton Çiçës nga Jani Alia, sipas policisë, është ajo e hakmarrjes, për shkak të konflikteve të vjetra që dy bashkëqytetarët kishin pasur vite më parë me njëri – tjetrin.
Këto konflikte disa vjeçare kanë nisur në Greqi, për pazare droge dhe herë pas here kishin përfunduar në tentativa të dështuara për të eleminuar njëri – tjetrin.
Përplasjet ishin bërë të shpeshta në 4 muajt e parë të vitit 2016, që çuan deri në ekzekutimin e Elton Çiçës.
Jani Aliaj është tentuar të vritet më 10 Janar, në një lokal në Rrugën e Kavajës, në Tiranë.
Më 25 Prill, 6 ditë para vrasjes së Çiços, ai u plagos në dorë, në një atentat të kryer në Gjirokastër, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Lumit”.
Tv Klan