Grupi hetimor, që heton vrasjen e 36 – vjeçarit Elton Çiça, dyshon se prishja e pazareve të drogës të jetë motiv i vrasjes.

Prokuroria dhe policia thonë se, ka të dhëna dhe informacione se viktima të jetë i përfshirë në këtë veprimtari.

Hetuesit thonë se telefoni, pistoleta dhe sendet e tjera personale të Çiçës, të cilat u zhdukën nga vendi i ngjarjes, do të ishin një ndihmë e madhe për hetimet.

Kqyrja e telefonin dhe komunikimet, që mund të gjendeshin në të, do t’i jepnin indicie policisë për të kanalizuar hetimin.

Megjithëse prokuroria ka mbledhur disa të dhëna për aktivitetin e viktimës në fushën e lëndëve narkotike, ato nuk bëhen të ditura për shkak të sekretit hetimor.

Ndërkohë vazhdojnë veprimet edhe për pistën e hakmarrjes për shkak të grabitjes së prindërve të viktimës në Tepelenë. Por nga pyetja e familjarëve, të personave të cilët dyshohet se janë pjesë e kësaj historie, nuk janë përfituar të dhëna që u ndihmojnë hetimeve.

Një tjetër pistë ku janë fokusuar hetuesit është edhe ajo e fajdeve, por që deri tani thuajse nuk është gjetur asnjë element që të bejë prokurorët të vazhdojnë veprimet hetimore.

Tv Klan