El Salvadori ka ofruar të pranojë kriminelë të rrezikshëm të mbajtur në burgjet amerikane duke përfshirë ata me shtetësi amerikane.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio, pas takimit me Presidentin Nayib Bukele në një vizitë në vendin e Amerikës Qendrore, tha se SHBA ishte “thellësisht mirënjohëse”, duke shtuar se “asnjë vend nuk ka bërë kurrë një ofertë si kjo”.

El Salvadori gjithashtu do të pranojë të dëbojë emigrantë të çdo kombësie që janë kriminelë dhe në SHBA në mënyrë të paligjshme. Rubio ka përgëzuar Presidentin Bukelen për politikat e tij mbi dhunën e bandave, të cilat kanë ulur në mënyrë dramatike normat e krimit në El Salvador dikur kryeqyteti i vrasjeve në botë.

Rubio tha se fokusi do të ishte te anëtarët e bandave të Amerikës Latine – si MS-13 ose Tren de Aragua. Vitin e kaluar, El Salvador hapi burgun më të madh në Amerikën Latine pranë Tecoluca-s, 75 kilometra nga kryeqyteti San Salvador.

Me një kapacitet prej 40 mijë të burgosurish, objekti aktualisht strehon rreth 15 mijë të ndaluar.

Që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump është fokusuar në përshpejtimin e largimit të emigrantëve të paligjshëm, me premtimin e “deportimeve masive”.

Rubio ndodhet në turneun e tij të parë jashtë shtetit si kryediplomati amerikan dhe ka kërkuar të pohojë prioritetet e administratës Trump në rajon, duke përfshirë kërkesën që Panamaja të bëjë ndryshime të menjëhershme.

Klan News